Raportohet se policëve specialë në veri u është ndalur një racion ushqimi

Policëve të njësive speciale që angazhohen në plane operative dhe punojnë me orare 12-orëshe në pjesën e veriut të Kosovës u është reduktuar numri i shujtave ushqimore nga dy në një. Sipas informacioneve të siguruara nga KALLXO ky reduktim ka ardhur si pasojë e mungesës së shujtave ushqimore, të cilat ishin të parashikuara me kontratë paraprake të…

Lajme

01/12/2025 21:45

Policëve të njësive speciale që angazhohen në plane operative dhe punojnë me orare 12-orëshe në pjesën e veriut të Kosovës u është reduktuar numri i shujtave ushqimore nga dy në një.

Sipas informacioneve të siguruara nga KALLXO ky reduktim ka ardhur si pasojë e mungesës së shujtave ushqimore, të cilat ishin të parashikuara me kontratë paraprake të Policisë së Kosovës.

Mediumi ka zhvilluar biseda me disa zyrtarë policorë nga njësi të ndryshme speciale që veprojnë në nivel rajonal dhe janë të angazhuara në plane operative në veri të Kosovës. Këta zyrtarë policorë varësisht planit operativ punojnë me orare 8-orëshe, 12-orëshe dhe 24-orëshe.

Në lidhje me largimin e një shujte ushqimore për personelin policor që punon në terren, mediumi ka kontaktuar kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hotin.

Ai ka konfirmuar informacionet, duke sqaruar se numri i madh i policëve të angazhuar në plane operative ka ndikuar në mungesë të shujtave ushqimore, prandaj është marrë vendim që policët specialë në oraret 12-orëshe të ushqehen vetëm me një shujtë.

“Po, kemi informacione për këtë çështje. A e din cili është problemi? Jemi në fund të vitit dhe menaxhmenti i Policisë së Kosovës, Drejtoria e Financave i bën në kontratë trivjeçare, puna e planeve operative që janë shku edhe njësi tjera shumë, shujtat janë harxhu, janë harxhu mjetet, por kjo është vetëm për këtë muaj”- tha Hoti.

Ai ka shtuar se pritet që kjo situatë të stabilizohet në fillim të vitit 2026.

“Është ndalë shujta 1 javë ditë për policët që shkojnë në Mitrovicë të Veriut, d.m.th. edhe ata që nuk janë në plan operativ edhe ata e marrin shujtën, për atë janë harxhu shujtat dhe për këtë kemi ardhë në këtë situatë. Zgjidhja në këtë rast parashihet të bëhet kontrata e re. Por mjetet që janë lëshu nga Qeveria, pra ka për paga, shtesa dhe për këto shpenzime të vogla”- tha tutje Hoti.

Lidhur me çështjen, Kallxo i ka shkruar edhe Policisë së Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.

Qeveria e Kosovës në detyrë, në mbledhjen e 31.10.2025 ka miratuar Projektligjin për buxhet për vitin 2026 që kap vlerën 4 miliardë euro. I njëjti nuk arriti të miratohej nga Kuvendi, i cili u shpërnda më 20.11.2025 me dekretin e nënshkruar nga presidentja Vjosa Osmani.

Orari i zyrtarëve policorë nuk llogarit edhe pjesën e udhëtimit të njësive speciale në veri. Pra nëse një njësit special që udhëton nga Gjilani për në Mitrovicë në bazë, i duhen rreth 2 orë udhëtim, nga aty ata nisen drejt pikave të përcaktuara si Leposaviqi e Zubin Potoku apo edhe zonat e tjera. Nëse policët punojnë 12 orë, bashkë me udhëtimin u shkojnë rreth 16 orë.

Situata të ngjashme me mungesën e shujtave ushqimore për policët janë raportuar edhe në të kaluarën.

Mediumi kishte raportuar raste të tilla edhe gjatë viteve 2021 dhe 2022.