BE: Serbia po shkel Marrëveshjen e Ohrit

Bashkimi Evropian i ka tërhequr vërejtjen Serbisë se duke kundërshtuar në parim anëtarësimin e Kosovës në Interpol, po shkel detyrimet që dalin nga neni 4 i Marrëveshjes së Ohrit. Ky reagim vjen pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit të mbajtur javën e kaluar në Marok,…

Lajme

26/11/2025 13:45

Bashkimi Evropian i ka tërhequr vërejtjen Serbisë se duke kundërshtuar në parim anëtarësimin e Kosovës në Interpol, po shkel detyrimet që dalin nga neni 4 i Marrëveshjes së Ohrit.

Ky reagim vjen pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit të mbajtur javën e kaluar në Marok, deklaroi se Kosova “nuk ka gjasa të anëtarësohet” dhe se për Serbinë “prioritet mbetet parandalimi i anëtarësimit të Kosovës”.

Neni 4 i marrëveshjes së arritur në Ohër në vitin 2023 parasheh që Serbia nuk do ta pengojë Kosovën në përpjekjet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj, Serbia vazhdimisht ka vepruar në kundërshtim me këtë dispozitë, gjë që është konstatuar në mënyrë të përsëritur edhe nga Bashkimi Evropian.

Zyrtarë të BE-së nënvizojnë se progresi i Serbisë në rrugën e saj evropiane varet edhe nga zbatimi i plotë i të gjitha angazhimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Përveç kësaj, Serbia ka detyrim të jetë konstruktive në procesin e normalizimit edhe në kontekst të përfitimit të fondeve nga Plani i Rritjes.

“Sa i përket Programit të Reformës dhe Rritjes, parakushti që lidhet me progresin në normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë vlerësohet sa herë që pranohet një kërkesë për pagesë sipas Programit, në përputhje me dispozitat e Rregullores”, ka sqaruar një zëdhënës i BE-së./rtk