MPJD: Lirimi i Arbnor Spahiut tregon se akuzat e Serbisë ishin të pabazuara dhe të motivuara politikisht
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar lirimin nga paraburgimi të shtetasit të Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili ishte mbajtur nga autoritetet serbe për një periudhë të gjatë nën akuza për “vrasje të rëndë” të lidhura me ngjarjet në Banjskë në vitin 2023. MPJD rithekson se akuzat e ngritura ndaj Spahiut nga Serbia…
Lajme
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar lirimin nga paraburgimi të shtetasit të Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili ishte mbajtur nga autoritetet serbe për një periudhë të gjatë nën akuza për “vrasje të rëndë” të lidhura me ngjarjet në Banjskë në vitin 2023.
MPJD rithekson se akuzat e ngritura ndaj Spahiut nga Serbia kanë qenë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova, duke theksuar se paraburgimi i tij i zgjatur ka shkelur të drejtën për proces të rregullt dhe trajtim të drejtë.
Ministria thekson se lirimi i tij tregon qartë se pretendimet e Serbisë nuk kanë qëndruar dhe se përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve të Kosovës duhet të marrë fund.
Ministria gjithashtu falënderon institucionet vendore dhe ndërkombëtare për mbështetjen në trajtimin e drejtë të këtij rasti dhe riafirmon përkushtimin e saj për mbrojtjen e çdo qytetari të Kosovës kudo që ndodhet.
Njoftimi i plotë:
Lirohet shtetasi i Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është informuar nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi lidhur me lirimin nga paraburgimi të shtetasit të Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili nga autoritetet gjyqësore të Serbisë ishte mbajtur në paraburgim për një periudhë të zgjatur, nën akuza të pabazuara për “vrasje të rëndë” të lidhura me ngjarjet në Banjskë, në vitin 2023.
Që nga dita e parë e arrestimit të tij, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përkatësisht Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës së bashku me institucionet tjera gjegjëse, kanë ndjekur nga afër rastin dhe kanë ofruar mbështetjen e nevojshme, duke insistuar vazhdimisht që ndaj tij të respektohen të drejtat themelore të njeriut dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
MPJD rithekson se akuzat e ngritura nga autoritetet e Serbisë kundër z. Spahiu kanë qenë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova, ndërsa paraburgimi i tij i zgjatur ka shkelur të drejtën për proces të rregullt dhe trajtim të drejtë.
Lirimi i z. Spahiu konfirmon qartazi se pretendimet e Serbisë lidhur me rastin në fjalë nuk kanë qëndruar dhe se përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve tanë është praktikë që duhet të marrë fund.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës falënderon të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar në trajtimin e drejtë të këtij rasti dhe mbetet e përkushtuar që të mbrojë çdo qytetar të Republikës së Kosovës kudo që gjendet./lajmi.net/