Haradinaj i drejtohet mërgimtarëve: Mos bini pre e propagandës, ta kthejmë Kosovën në normalitet

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i është drejtuar me mesazh mërgimtarëve para zgjedhjeve që do të mbahen në fundvit më 28 dhjetor, duke theksuar rëndësinë e angazhimit për një Kosovë më të mirë. “Pushimet e ardhshme, përveç vizitave në familjet tuaja, do ta kemi një angazhim tjetër që pretendon ta kthejë Kosovën në binarët e…

Lajme

21/11/2025 13:56

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i është drejtuar me mesazh mërgimtarëve para zgjedhjeve që do të mbahen në fundvit më 28 dhjetor, duke theksuar rëndësinë e angazhimit për një Kosovë më të mirë.

“Pushimet e ardhshme, përveç vizitave në familjet tuaja, do ta kemi një angazhim tjetër që pretendon ta kthejë Kosovën në binarët e normalitetit,” tha Haradinaj.

Ai thekson se Kosova e ëndrrave tona duhet të jetësohet dhe se vlera e lirisë duhet të respektohet.

“Ne duam që Kosova e ëndrrave tona të jetësohet. Ne duam që vlera e lirisë të respektohet dhe të nderohen partnerët ndërkombëtarë në secilin nivel të sigurisë e të zhvillimit”, tha Harqdinaj.

Kryetari i AAK-së kritikoi politikat e lëmoshës.

“Ne s’duam lëmoshë financiare prej 100 eurosh, që ministri e kryeministri t’ia vazhdojnë pushtetin vetes për një javë apo një muaj. Ne duam angazhim institucional, që familjet tona ta ndjejnë dorën e shtetit”, shtoi ai.

Ai bëri apel për bashkëpunim dhe unitet familjar.

“Bisedoni e argumentoni mes vete, në familjet tuaja, dhe vendosni për të ardhmen. Ne kurrë s’kemi qenë të ndarë mes vete në familje. Malli për njëri-tjetrin na ka gërryer shpirtin, për ta ndërtuar sigurinë dhe jetën e begatë në familjet tona, para e pas luftës.”

Haradinaj kujtoi sakrificën për lirinë dhe rëndësinë e unitetit kombëtar:

“Pastaj, dhatë për lirinë shumë, e bashkë e gëzuam rrugëtimin e ëndrrës që për të u sakrifikua shumë. Pa njëri-tjetrin nuk e kemi familjen, nuk e nderojmë vendin dhe nuk e sigurojmë të ardhmen. Mos e lejoni asnjë propagandë që e dëmton familjen.”

“Besnik ndaj atdheut dhe kombit”, përfundoi Haradinaj.