Wesley Clark dëshmon edhe sot në Hagë

Wesley Clark, dëshmitari i fundit i mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçit po dëshmon këtë javë në seancën gjyqësore ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dëshmia e tij vazhdon edhe sot, transmeton lajmi.net. Clark dje shpalosi planin që kishte hartuar për fushatën ajrore të NATO-së. “Së pari duhet të merrja leje për të hartuar…

Lajme

18/11/2025 08:48

Wesley Clark, dëshmitari i fundit i mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçit po dëshmon këtë javë në seancën gjyqësore ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmia e tij vazhdon edhe sot, transmeton lajmi.net.

Clark dje shpalosi planin që kishte hartuar për fushatën ajrore të NATO-së.

“Së pari duhet të merrja leje për të hartuar një plan të NATO-së i takonte që shumë asete dhe zëra të SHBA do të ishin pjesë e këtij plani. Filloi me një ide që do të demonstronte kompetencën dhe fuqinë e SHBA për të vijuar me sulmet mbi Serbinë dhe kishte një lloj zhvillimi nëse ky spastrim do të vazhdonte më tej atëherë ne do të vazhdonim me fushata bombarduese në Kosovë dhe në qoftëse Millosheviq nuk do të bindej atëherë ne do të vazhdonin me bombardime në Serbi, dhe nëse as kjo nuk do të funksiononte kishim opsione për të shkuar në rrugë tokësore”, tha ai.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Clark, tha se nuk besonte që Thaçi ishte udhëheqës ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Clark, që udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999, tha se nuk besonte që Thaçi komandonte personat që kryen akte të dhunës pas çlirimit të Kosovës.

Ndërsa i pyetur nëse ka qenë e mundur që UÇK-ja të ketë pasur zinxhir komandues funksional me hierarki të plotë e NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të mos e kenë ditur, Clark tha shkurtimisht: “Jo”.

Ai tha se nuk e di nëse Thaçi ka luftuar dhe nuk ishte në dijeni për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

Clark tha se Thaçi nuk e dinte se ku gjendej ushtria serbe në mënyrë që NATO-ja ë shmangte shënjestrimin e civilëve gjatë bombardimeve.

Gjenerali amerikan në pension, që është dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e Thaçit, do të vazhdojë dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë mëngjesin e së martës.