Mbi 3 mijë pako të votuesve jashtë vendit refuzohen nga KQZ për mungesë dokumentacioni

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot në ora 10:00 për ecurinë e aktiviteteve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë në 18 komuna të vendit. Sipas raportit zyrtar, deri tani janë pranuar gjithsej 12,018 pako…

Lajme

15/11/2025 12:01

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot në ora 10:00 për ecurinë e aktiviteteve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë në 18 komuna të vendit.

Sipas raportit zyrtar, deri tani janë pranuar gjithsej 12,018 pako me fletëvotime brenda Kosovës. Nga to, 8,932 janë aprovuar ndërsa 3,086 janë refuzuar. Arsyeja kryesore e refuzimit në 3,009 raste është mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument i domosdoshëm për validimin e votës.

Gjatë datave 11–12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete janë tërhequr 13,084 pako të votuesve që kanë dërguar fletëvotimet e tyre me postë. Ndërkohë, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar për të votuar nga jashtë për këto komuna është 29,752.

Për shkak të distancës së madhe, 519 pako të tjera nga SHBA, Kanada dhe Australi ende nuk kanë arritur në Kosovë. Sipas KQZ-së, këto do të vlerësohen dhe numërohen menjëherë sapo të mbërrijnë.

Paralelisht me këtë proces, KQZ ka numëruar të premten rreth 750 fletëvotime nga votimi me kusht, si dhe 1,441 fletëvotime nga votimi i personave me nevoja të veçanta, përfshirë fletëvotimet e mundësuara përmes ekipeve mobile jashtë vendvotimeve.

Rezultatet nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta janë publikuar tashmë në platformën zyrtare të rezultateve, në seksionin e veçantë “Rezultatet QNR”. Në të njëjtën platformë do të publikohen edhe rezultatet pas numërimit të fletëvotimeve me postë jashtë Kosovës, sapo të përfundojë procesi.

KQZ ka theksuar se të gjitha procedurat po zhvillohen me transparencë të plotë dhe se përditësimet e tjera do të jepen në vazhdimësi, deri në përfundimin e numërimit përfundimtar të votave.