​Fillon numërimi i votave jashtë Kosovës, KQZ në pritje të votave nga ShBA, Kanada dhe Australia

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me numërimin e fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 Komunave. Numri i fletëvotimeve që gjatë ditës së shtunë do të numërohen është rreth 9 mijë pako me fletëvotime, por në këtë numër ende nuk përfshihen fletëvotimet e tërhequra nga kutitë…

Lajme

15/11/2025 10:31

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me numërimin e fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 Komunave.

Numri i fletëvotimeve që gjatë ditës së shtunë do të numërohen është rreth 9 mijë pako me fletëvotime, por në këtë numër ende nuk përfshihen fletëvotimet e tërhequra nga kutitë postare në SHBA, Kandada dhe Australi, që për shkak të largësisë ende nuk kanë arritur në Kosovë.

Këto detaje u bënë të njohura nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Gjatë ditës së premte, është përmbyllur procesi i vlerësimit të 12,018 pakove me fletëvotime që janë sjellur deri më tani në Kosovë. Për shkak të largësisë, ende nuk janë sjellur në Kosovë 519 pakot me fletëvotime nga kutitë postare në ShBA, Kanadë dhe Australi, vlerësimi dhe numërimi i të cilave do të bëhet pasi të arrijnë”, tha Elezi.

Sipas tij, jo të gjitha pakot me fletëvotime që janë pranuar nga jashtë Kosovës kanë arritur që të kalojnë procesin e vlerësimit dhe verifikimit, pasi mbi 3 mijë janë refuzuar.

“Nga procesi i vlerësimit të 12,018 pakove me fletëvotime që janë sjellur deri më tani në vendin tonë, janë aprovuar 8,932, ndërkaq janë refuzuar 3,086. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 3,009 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, tha Elezi.

Më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e 13,084 pakove të supozuara me fletëvotime. Numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës dhe që i takonin këtyre 18 komunave është: 29,752.

Të premten, KQZ ka numëruar rreth 750 fletëvotime nga votimi me kusht i mundësuar në vnevotime të veçanta dhe 1,441 fletëvotime nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i mundësuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile.