Refuzohet dorëheqja e Xhafer Gashit, Abdixhiku: LDK nuk i braktis njerëzit e saj në momente të vështira
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka refuzuar dorëheqjen morale të Xhafer Gashit pas rezultatit zgjedhor në Komunën e Obiliqit. Abdixhiku ka theksuar se humbjet dhe fitoret janë pjesë e një rrugëtimi të gjatë politik dhe se qëllimi i përbashkët i LDK-së është më i madh se…
Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka refuzuar dorëheqjen morale të Xhafer Gashit pas rezultatit zgjedhor në Komunën e Obiliqit.
Abdixhiku ka theksuar se humbjet dhe fitoret janë pjesë e një rrugëtimi të gjatë politik dhe se qëllimi i përbashkët i LDK-së është më i madh se çdo betejë e vetme.
“Sot LDK në Obiliq është parti e parë me plot 46% dhe kjo arritje është meritë vetëm e Xhafës dhe ekipit që ai ka,” shkroi Abdixhiku në një postim, duke e cilësuar Gashin si “njeri të fjalës, të punës dhe të përkushtimit të heshtur ndaj qytetarëve të tij”.
Ai tha se Xhafer Gashi i ka dhënë Obiliqit “drejtim, dinjitet dhe stabilitet” gjatë viteve të udhëheqjes së tij, duke shtuar se LDK ka nevojë për njerëz me karakter e vizion si ai.
Për këtë arsye, Abdixhiku njoftoi se e ka rikonfirmuar Gashin në pozitat e tij brenda LDK-së, si në Degën e Obiliqit, ashtu edhe në Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të partisë.
“LDK nuk i braktis njerëzit e saj në një moment të vështirë; përkundrazi, di të trajtojë edhe fitoren edhe humbjen me plot dinjitet,” përfundoi Abdixhiku, duke theksuar se qëndrueshmëria dhe besimi janë vlerat që e udhëheqin partinë në çdo sfidë.