Kush është Hill, cili ishte angazhimi i tij në Hagë dhe kur u takua me Millosheviçin? – Detaje nga seanca në Hagë
Sot në Gjykatën Speciale në Hagë, po dëshmon Christopher Robert Hill, ish ambasadori amerikan në Serbi dhe tani diplomat amerikan i dal në pension. Ai para trupit gjyqësor dhe nga pyetjet e avokatit të Hashim Thaçit, Musetiq, tha se ka filluar karrierën diplomatike të tij në shërbimet e Punëve të Jashtme në muajin tetor të…
Lajme
Sot në Gjykatën Speciale në Hagë, po dëshmon Christopher Robert Hill, ish ambasadori amerikan në Serbi dhe tani diplomat amerikan i dal në pension.
Ai para trupit gjyqësor dhe nga pyetjet e avokatit të Hashim Thaçit, Musetiq, tha se ka filluar karrierën diplomatike të tij në shërbimet e Punëve të Jashtme në muajin tetor të vitit 1977, shkruan lajmi.net.
“Para vitit 98 kam filluar të jem aktiv në shërbimin e huaj në 1977. Puna e parë ka qenë në Beograd në Jugosllavi, deri në verën e vitit 1980 më pas jam kthyer në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe kam shërbyer si nëpunës dhe më pas kam qenë anëtarë i stafit për planifikimin e politikave derisa kam shkuar në Warshaw në 1983 deri në 1985. Pas 1985 kam shkuar në Seul në Kore deri në 1988, pastaj jam kthyer në SHBA dhe kam punuar për një kongresmen në kuadër të DASH nga 1988-89. Në 89 jam bërë personi përgjegjës për Poloni, në 91 shkova në Shqipëri ku kam hapur ambasadën amerikane që ishte mbyllur atje nga 1946. Jam larguar nga Tirana në vitin 1994, dhe në atë kohë u bëra drejtori për zyrën e Ballkanit në Departamentin e Shtetit, detyrë që kulmoi në pjesëmarrjen time në bisedat për paqe të Deytonit në tetor deri në nëntor të 1995. Më pas kam shkuar në Maqedoni të Veriut në verën e vitit 1996, në vitin e 1998 derisa kam qenë ende në Maqedoni të Veriut u bëra i dërguari i posaçëm për çështjet serbe në Kosovë, dhe i përfundova këto detyra në verën e vitit 1999”, ka thënë Hill duke treguar për karrierën e tij deri në vitin 1999.
Musetiq e ka pyetur atë se gjatë punës së tij në Tiranë dhe në Maqedoni të Veriut, a kishte mundësi të udhëtonte në Kosovë dhe të njihej me çështjet shqetësuese në Kosovë në atë kohë.
“Kosova ishte një temë shumë e madhe brenda Ballkanit, temë e rëndësishme por nuk ishte e vetmja çështje që diskutohej sepse sikurse dihej kishte shumë luftëra që ndërhynin në këtë çështje. Lufta në Bosnje dhe ajo mes Serbisë dhe Kroacisë, megjithatë sa kam qenë në Shqipëri kam dëgjuar shumë lidhur me situatën në Kosovë. nuk e kam vizituar personalisht Kosovën deri në maj të vitit 1998 kur mu kërkua ta merrja përsipër si një përgjegjësi shtesë përveç përgjegjësive të tjera që i kisha si ambasador i SHBA-ve në Shkup”, ka thënë Hill.
Ai ka treguar se në vitin 1999, është kthyer në SHBA dhe është bërë drejtor i lartë për çështje të Evropës Juglindore, përkatësisht për Ballkanin, detyrë që e ka kryer deri në vitin 2000 e më pas është dërguar në Poloni si ambasador i SHBA-ve atje.
Hill, dëshmitari i mbrojtjes së Thaçit ka thënë se ka qenë i përfshirë në bisedat e paqes në Deyton dhe se ka punuar çdo ditë me ambasadorin Holbrooke, e më pas është pyetur nëse Kosova ka qenë një ndër temat e diskutuara në bisedat e Deytonit.
“Bisedat e Deytonit kanë qenë të fokusuara në përfundimin e luftës në Bosnjë, megjithatë çështja e Kosovës ka dal në disa rrethana kur kishte qytetarë shtetas amerikan me prejardhje të Kosovës që donin ta trajtonim çështjen e Kosovës, por vëmendja kryesore në atë kohë ka qenë për krizën në Bosnje se për këtë ka të bëjë marrëve4shja e Deytonit. Megjithatë ne diskutonim për Kosovën, më kujtohet se kisha biseda të drejtpërdrejta me presidentin Millosheviç në kontekstin e marrëveshjes së paqes së Deytonit sepse e dinim që Kosova do të ishte çështja e radhës”, ka thënë Hill.
Ai u pyet që përveç presidentit të ish-Jugosllavisë, Millosheviç, a kishte pas mundësi të takohej me zyrtarë të tjerë me peshë në Ballkan, për çka tha po.
“Gjatë marrëveshjes së paqes së Deytonit, kishim biseda me presidentin e Kroacisë, të Serbisë, të Bosnjes. Këta janë disa persona që kam folur çdo ditë, ndërkohë aty nuk kishte përfaqësues nga Kosova as nga Serbia. Përpara se të fillonim me bisedat e paqes në deyton unë kam vizituar Maqedoninë për disa probleme që kishte Maqedonia aso kohe. Nuk kam pas rast të përfshihem me liderët e Kosovës. Megjithatë do të them duke iu kthyer 1998-tës, jam takuar me Rugovën në rezidencën e ambasadorit amerikan. Kjo ka qenë takimi i parë me të. Jam takuar me të më pas në maj të 1998-tës”, ka shtuar Hill.
Hill është dëshmitari i katërt me radhë i mbrojtjes së Thaçit në Hagë. /Lajmi.net/
Lajmi.net do të raportoj në vazhdimësi nga deklarata e Hill në Hagë