Balotazhi, probleme me zarfet e votimit në diasporë
Votimi me asistencë në Kosovë dhe zarfet me postë që nuk janë arritur mjaftueshëm tek diaspora ishin tema të nxehta në mbledhjen e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. KQZ në fillim të mbledhjes së rregullt, ka vendosur për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të tri komunave: Prishtinë, Mamushë dhe Junik. Ky vendim i…
Lajme
Votimi me asistencë në Kosovë dhe zarfet me postë që nuk janë arritur mjaftueshëm tek diaspora ishin tema të nxehta në mbledhjen e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve.
KQZ në fillim të mbledhjes së rregullt, ka vendosur për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të tri komunave: Prishtinë, Mamushë dhe Junik. Ky vendim i KQZ-së vjen pas konfirmimit nga PZAP se është përmbyllur vendimmarrja lidhur me procesin e ankesave për këto komuna.
Këto rezultate mund t’i gjeni këtu: https://kqz-ks.org/rezultatet/zgjedhjet-per-kryetare-te-komunave
Në vazhdim të mbledhjes u prezantua një raport lidhur me fazën përfundimtare të përgatitjes së raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025.
Në mbledhje u njoftua se ka përfunduar shpërndarja e materialit zgjedhor, një proces i cili është zhvilluar në disa faza. Fillimisht, më 5 dhe 6 nëntor në Qendra Komunale të Numërimit janë shpërndarë kutitë e votimit; kabinat e votimit dhe materiale të tjera administrative, ndërkaq më 8 nëntor, nën përcjellje e Policisë së Kosovës janë shpërndarë materialet tjera zgjedhore, si: fletëvotimet, listat votuese, ngjyra matrikulare dhe vulat.
Ndërkohë, anëtari i KQZ-s nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi ka ngritur çështjen e votimit me asistencë dhe vonesës së dërgimit të fletëvotimeve në adresat e diasporës.
“Kemi shumë kërkesa ose ankesa që nuk kanë mbërri fletëvotimet nëpër adresa përkatës dhe ky është problem i postës dhe jo problem i jon i brendshme”, tha ai.
Drejtori i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Besnik Buzhala, tha se nuk kanë informata se sa do të jetë numri i fletëvotimeve që nuk kanë arritur me kohë tek diaspora.
“Kemi konstatuar se ekzistojnë vonesa në dërgimin e dërgesave postare, të cilat vonesa kanë të bëjnë kryesisht në shtet skandinave…të dhënat e sakta do t’i dimë pasi t’i tërheqim”, tha ai.