Vuçiq sërish në mbrojtje të strukturave kriminale, përplasje me shefin e BE-së për Banjskën

Kreu i Zyrës së Bashkimit Evropian në Beograd, Andreas von Beckerath, i ka dorëzuar sot presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dokumentin e Raportit të Progresit për këtë vend. Në konferencën për media pas takimit, Beckerath ka theksuar rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura në vitin…

Lajme

06/11/2025 17:45

Kreu i Zyrës së Bashkimit Evropian në Beograd, Andreas von Beckerath, i ka dorëzuar sot presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dokumentin e Raportit të Progresit për këtë vend.

Në konferencën për media pas takimit, Beckerath ka theksuar rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura në vitin 2023, përfshirë edhe anekset për zbatim, transmeton lajmi.net.

“Angazhimi konstruktiv në dialog nën patronazhin e BE-së është thelbësor. Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë plotësisht detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja për normalizim dhe anekset e saj nga viti 2023, si dhe ato të mëparshmet. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të sigurojë një mjedis të qëndrueshëm dhe paqësor për stabilitetin dhe besimin rajonal,” ka deklaruar Beckerath.

Zyrtari evropian ka shtuar gjithashtu se Serbia duhet të sigurojë përgjegjësi për ngjarjet në veri të Kosovës në vjeshtën e vitit 2023, duke iu referuar sulmit të armatosur në Banjskë, që u krye nga Millan Radojçiç dhe grupi i tij.

Pas kësaj kërkese të Bashkimit Evropian, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka reaguar me tone të ashpra, duke thënë se pret nga BE-ja që të kërkojë përgjegjësi edhe për, siç tha ai, “të gjitha ngjarjet që nga viti 2008 e deri në fund të vitit 2025, ku janë vrarë, plagosur apo arrestuar padrejtësisht serbë dhe të tjerë”.

Vuçiq shtoi se pret që “drejtësia të vihet në vend” për këto raste./lajmi.net/