BE-ja sqaron “ndalimin” për takime me Kurtin: Vendimi vlen vetëm për zyrtarët e lartë nga Brukseli, jo për ambasadorin Orav në Kosovë

Bashkimi Europian në gusht të këtij viti kishte marrë vendim që zyrtarët e Unionit të mos i shkonin në zyre Albin Kurtit derisa Kosova të kishte një qeveri të re legjitime. Zvarritja disamujore në Kuvendin e Kosovës shtyu BE-në të merrte këtë masë ndaj kryeministrit në detyrë derisa nxitësi kryesor u bë një aktgjykim i…

Lajme

05/11/2025 17:40

Bashkimi Europian në gusht të këtij viti kishte marrë vendim që zyrtarët e Unionit të mos i shkonin në zyre Albin Kurtit derisa Kosova të kishte një qeveri të re legjitime.

Zvarritja disamujore në Kuvendin e Kosovës shtyu BE-në të merrte këtë masë ndaj kryeministrit në detyrë derisa nxitësi kryesor u bë një aktgjykim i Gjykatës Supreme.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në vizitën e saj në Kosovë në mes të tetorit zbatoi këtë vendim të bllokut që udhëheq dhe për vendtakim me kryeministrin në detyrë të Kosovës e caktoi një sallë Kuvendi.

Por, një muaj pas, ambasadori i BE-së, Aivo Orav, shkoi në Qeverinë e Kosovës për t’ia dorëzuar Kurtit raportin e sivjetmë për vendin të Komisionit Europian.

Për këtë vizitë të tij në zyrën e Kurtit, që u duk si thyerje e vendimit nga vetë ambasadori i BE-së, për Express ka folur Zyra e BE-së në Kosovë, duke sqaruar se vendimi aplikohet vetëm për zyrtarët e lartë që vijnë nga Brukseli, ndërsa s’vlen për punët e zyrtarëve të BE-së që shërbejnë në vend.

“Siç është theksuar më parë, me rastin e vizitës së Presidentes së Komisionit Europian, von der Leyen, zyrtarët e nivelit të lartë nga BE-ja dhe shtetet anëtare të BE-së nuk do të takohen me zyrtarët e qeverisë në detyrë të Kosovës në ambientet e qeverisë. Megjithatë, kjo nuk vlen për zyrtarët e BE-së të vendosur në Kosovë, përfshirë Ambasadorin Orav, apo zyrtarë të tjerë të BE-së që mbajnë marrëdhënie pune me institucionet e Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Zyrës së BE-së, Nikola Gaon.

Në këtë kontekst, zyrtarë të nivelit të lartë të BE-së dhe të shteteve anëtare të BE-së përfshijnë presidentë, krerë shtetesh, ministra, komisionerë dhe Përfaqësuesen e Lartë/Nënpresidenten (HR/VP).

Gjykata Supreme përmes një aktgjykimi në e nxori në qershor kishte shpallë të pavlefshëm një udhëzim administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pasi argumentoi se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.

Duke përmendur këtë aktgjykim, vetë Orav e kishte njoftuar Kurtin për vendimin që kanë marrë shefat e tij në Bruksel në përgjigje të zhvillimeve në Kosovë që vonuan krijimin e institucioneve të reja.

Para kësaj here, Kurti takimin e fundit që kishte zhvilluar me Orav në zyrën e tij ishte në korrik.