Raporti i Progresit vë në pah që Kurti dhe disa zyrtarë të VV-së mbajnë dy pozita – atë në qeveri dhe të deputetit
Raporti i Progresit për Kosovën i publikuar nga Komisioni Europian thekson sfidat e qeverisjes në vend, duke përqendruar vëmendjen tek vendimet e rëndësishme të Gjykatës Supreme. Sipas dokumentit, “Gjykata Supreme përsërit se është e papajtueshme mbajtja e njëkohshme e roleve legjislative dhe ekzekutive”, një vendim që ka implikime direkte për kryeministrin në largim dhe disa…
Lajme
Raporti i Progresit për Kosovën i publikuar nga Komisioni Europian thekson sfidat e qeverisjes në vend, duke përqendruar vëmendjen tek vendimet e rëndësishme të Gjykatës Supreme.
Sipas dokumentit, “Gjykata Supreme përsërit se është e papajtueshme mbajtja e njëkohshme e roleve legjislative dhe ekzekutive”, një vendim që ka implikime direkte për kryeministrin në largim dhe disa ministra që vazhdojnë të mbajnë mandat deputeti, transmeton lajmi.net.
Raporti vëren se pas zgjedhjeve legjislative, “termi i qeverisë së udhëhequr nga VV formalish përfundoi më 22 mars 2025 dhe ajo hyri në statusin e qeverisë kujdestare më 23 mars 2025, e pajisur me kompetenca të kufizuara”, duke mundësuar vetëm kryerjen e aktiviteteve të nevojshme sipas Planit Vjetor të Punës dhe Ligjit të Buxhetit Vjetor. Megjithatë, qeveria kujdestare ka vazhduar të kryejë shumë aktivitete, duke u përqendruar në ato që nuk kërkojnë miratimin e Parlamentit.
Raporti thekson gjithashtu tensionet mes institucioneve qendrore dhe komunave, ku komunat përballen ende me probleme në mbikëqyrjen financiare, planifikimin e buxhetit dhe shpërndarjen efektive të burimeve publike. Përveç kësaj, Komisioni Europian nënvizon se përfaqësimi gjinor mbetet i pabarabartë, me gratë që janë nën-përfaqësuara në pozicionet e larta qeveritare dhe organet vendimmarrëse lokale.
Ky kapitull i Raportit të Progresit nxjerr në pah mosveprimet e qeverisë në largim dhe thekson rëndësinë e respektimit të ndarjes së pushteteve, duke sfiduar drejtpërdrejt praktikat e deritanishme të udhëheqjes së VV-së dhe duke treguar për pasojat ligjore që mund të kenë për funksionimin demokratik të vendit./lajmi.net/