Votat për Konjufcën? Shala i IKD-së sqaron se cilat janë procedurat për ta “bindur” presidenten Osmani

Pasi Kurti ka propozuar Glauk Konjufcën si mandatar të dytë për kryeministër, vendimi final për mandatimin e tij ose jo, i takon presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Nga partitë ish-opozitare thonë se Osmani s’mund ta mandatojë Konjufcën derisa s’ka një garanci të shkruar me 61 nënshkrime të deputetëve që e votojnë kryeministrin. Lidhur me këtë…

Lajme

04/11/2025 13:59

Pasi Kurti ka propozuar Glauk Konjufcën si mandatar të dytë për kryeministër, vendimi final për mandatimin e tij ose jo, i takon presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Nga partitë ish-opozitare thonë se Osmani s’mund ta mandatojë Konjufcën derisa s’ka një garanci të shkruar me 61 nënshkrime të deputetëve që e votojnë kryeministrin.

Lidhur me këtë ka shkruar edhe Gëzim Shala nga IKD. Ai ka thënë se kur vije puna për mandatarin, Osmani ka rol aktiv në atë se kush duhet të jetë mandatari i ri.

Bazuar në vendimin e Kushtetueses K0103/14, Shala thotë se Presidentja duhet të analizojë gjasat se kush mund ta bëjë qeverinë e re.

Ai ka shtuar se s’ka ndonjë procedurë formale për mënyrën se si mund të bindet Osmani për çështjen e numrave.

““Bindja” mund të nënkuptojë njoftimin e liderëve të partive se kanë arritur koalicion, njoftimin e një kandidati se përpos votave të partisë së tij, ka edhe votat e deputetëve të tjera (duke deponuar dëshmi për këtë) apo përmes dërgimit të një liste me 61 nënshkrime”, ka shkruar Shala.

Postimi i plotë:

Sa i përket mandatarit të ri për formimin e Qeverisë, bazuar në Kushtetutë dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Presidentja ka rol aktiv në atë se kush duhet të jetë mandatari i ri për formimin e Qeverisë së re. Ky rol aktiv nuk nënkupton diskrecion të pakufizuar të Presidentes për emrin e mandatarit të ri.

Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese K0103/14, Presidentja duhet të vlerësojë se cila është gjasa më e madhe që një parti politike ose koalicion të propozojë kandidatin për kryeministër, i cili do të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së re. Thënë më ndryshe, Presidentja duhet të bindet se mandatari që cakton do të ketë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë.

Nuk ka një procedurë formale standarde se si duhet “të bindet” Presidentja. “Bindja” mund të nënkuptojë njoftimin e liderëve të partive se kanë arritur koalicion, njoftimin e një kandidati se përpos votave të partisë së tij, ka edhe votat e deputetëve të tjera (duke deponuar dëshmi për këtë) apo përmes dërgimit të një liste me 61 nënshkrime.

Nëse në asnjë rrethanë Presidentja nuk bindet se asnjë kandidat nuk ka numrin e mjaftueshëm të votave në Kuvend për formimin e Qeverisë, ajo duhet të shpallë zgjedhjet brenda 40 ditëve.

Nëse presidentja tejkalon të gjithë këta hapa dhe ia jep mandatin një kandidati, atëherë ajo bënë shkelje të Kushtetutës, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe cenon paanësinë politike.