Qeveria kërkund hiq, Murati fajëson PDK-në dhe LDK-në pse nuk i formojnë komisionet parlamentare: Po i lënë pa buxhet RTK-në dhe tri komuna
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka reaguar pasi punëtorët e RTK-së kanë paralajmëruar grevë nëse nuk ekzekutohet buxheti. Ai përmes një postimi në Facebook, ka fajësuar PDK-në dhe LDK-në pse nuk po i formojnë komisionet parlamentare e më pas të ekzekutohet buxheti, ndonëse ky proces do të duhej të bëhej pas formimit të…
Lajme
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka reaguar pasi punëtorët e RTK-së kanë paralajmëruar grevë nëse nuk ekzekutohet buxheti.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka fajësuar PDK-në dhe LDK-në pse nuk po i formojnë komisionet parlamentare e më pas të ekzekutohet buxheti, ndonëse ky proces do të duhej të bëhej pas formimit të Qeverisë.
“Krejt çfarë duhet për ekzekutim të buxhetit për RTK-në është vendimi i Komisionit Parlamentar për Buxhet. Me atë vendim, Thesari i shtetit brenda ditës e ekzekuton transferin e mjeteve, siç edhe e bën çdo herë. Mirëpo PDK dhe LDK po refuzojnë të krijojnë Komisionet Parlamentare, e rrjedhimisht po i lënë pa buxhet RTK-në, komunat e Prishtinës, Gjilanit, dhe Zubin Potokut, siç dhe po rrezikojnë miratimin e buxhetit për vitin 2026. Argumenti se komisionet parlamentare nuk mund të formohen sepse ende nuk dihet kush është pozitë dhe kush opozitë, nuk qëndron”, ka thënë Murati.
Ai ka thënë se Kuvendi mund të formoj fillimisht vetëm komisionet e përhershme ë sipas tij janë ato për buxhet, për legjislacion, për integrim evropian, dhe për të drejtat e komuniteteve. Sipas tij, këto komisione do të mjaftonin që të shqyrtoheshin të gjitha çështjet emergjente si buxheti dhe plani i rritjes i BE-së.
“Komisionet tjera, të cilat me formulë i takojnë opozitës, por edhe ato që mbikqyrin dikastere përkatëse të ekzekutivit, mund të formohen tek kur të ketë qeveri fuqiplotë dhe të dihet kush është pozita e kush opozita. Deri atëherë, mund të ketë zgjidhje të përkohshme që mundëson tejkalimin e ngërçit. Vetëm duhet vullnet politik nga ana e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së”, ka shtuar Murati. /Lajmi.net/