Dhunë në protestat në Beograd, teksa nëna e një viktime nis grevë urie
Dhunë dhe tensione janë raportuar përgjatë një proteste të mbajtur në Beograd në mbrëmjen e 2 nëntorit në mbështetje të Dijana Hërkas, nënës së njërës prej 16 viktimave të vrara si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit një vit më parë. Ajo ka nisur grevë urie, duke kërkuar…
Bota
Dhunë dhe tensione janë raportuar përgjatë një proteste të mbajtur në Beograd në mbrëmjen e 2 nëntorit në mbështetje të Dijana Hërkas, nënës së njërës prej 16 viktimave të vrara si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit një vit më parë.
Ajo ka nisur grevë urie, duke kërkuar përgjegjësi nga ata që, siç thotë ajo, i kanë vrarë fëmijën.
Në protestë janë hedhur mjete piroteknike në drejtim të protestuesve nga ana e mbështetësve qeveritarë që kanë qenë të mbledhur në një zonë tjetër.
Më vonë kanë shpërthyer përleshje mes dy grupeve, mirëpo policia ka ndërhyrë shpejt dhe i ka ndalur ato.
Përgjatë protestës, Dijana Hërka i është drejtuar policisë me megafon, duke thënë se ky institucion do të fajësohet për incidentet.
Pas një kohe siguria është përforcuar me forcat e xhandarmërisë.
Studentët që protestojnë tashmë një vit, i kanë bërë thirrje secilit që të mos përfshihet në përleshje.
“Dijana Hërka nuk duhet të lihet vetëm”, kanë thënë studentët përmes një postimi në X – dikur Twitter – duke shtuar se gjëja më e rëndësishme është siguria e saj, por që nëse Hërka vendos të vazhdojë grevën dhe të protestojë, atëherë i duhet të ketë mbështetje adekuate.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka akuzuar qytetarët që e kanë mbështetur Dijana Hërkan për “tentime brutale që të sulmojnë simbolin e lirisë – Parkun e Pionierëve”, ka raportuar agjencia e lajmeve Beta.
Vuçiq ka thënë se ata që i organizojnë grevat janë në kontakt me shumë zyrtarë të Ambasadës amerikane.
“Kjo është diçka e pritshme dhe nuk na befason, sepse i kemi monitoruar këto kontakte të atyre që kanë dashur të shkaktojnë kaos me struktura të huaja”, ka thënë ai.
Ministria e Brendshme Serbisë dhe Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA) e kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke i dënuar incidentet në Beograd.
Dijana Hërka e ka nisur grevën në ngjarjen përkujtimore në Novi Sad më 1 nëntor, ku dhjetëra mijëra njerëz i kanë përkujtuar ata që janë vrarë një vit më parë.
Tragjedia në Novi Sad i ka nxitur protestat më të mëdha në dekada kundër pushtetit në Serbi.
Protestuesit kërkojnë zgjedhje të parakohshme, diçka që regjimi i Vuçiqit i hedh poshtë vazhdimisht.