Gecaj reagon për marrëveshjen AAK–VV në Junik: Koalicion i luftës hibride
Bajram Gecaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas marrëveshjes së arritur ndërmjet kandidatit të AAK-së për kreytar të Junikut, Agron Kuçi dhe kandidatit të Vetëvendosjes, Jetmir Tofaj. Ai thotë se kjo marrëveshje tregon qartë se për AAK-në nuk është problem të bashkëpunojë me “produktet e luftës hibride të armiqve tanë”, derisa e quan…
Lajme
Bajram Gecaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas marrëveshjes së arritur ndërmjet kandidatit të AAK-së për kreytar të Junikut, Agron Kuçi dhe kandidatit të Vetëvendosjes, Jetmir Tofaj.
Ai thotë se kjo marrëveshje tregon qartë se për AAK-në nuk është problem të bashkëpunojë me “produktet e luftës hibride të armiqve tanë”, derisa e quan këtë koalicon “të luftës hibride”.
“Çfarë po i mungon kësaj fotografie? Albini në të majtë, Ramushi në të djathtë — secili me nga një gaz lotsjellës në dorë dhe me grushtin komunist afër kokës. Një skenë që do ta simbolizonte më së miri “bashkimin e luftës hibride.” Të dielën, Ramush Haradinaj e quajti Albin Kurtin “produkt të luftës hibride të armiqve tanë.” Vetëm një ditë më pas, ashtu si gjatë Qeverisë Mustafa, u bashkuan sërish — për interesa të ngushta personale e grupore. Kjo është jo vetëm jologjike, por edhe hipokrizi e kulluar: si mund të quash dikë “produkt të armiqve” dhe në të njëjtën frymë të nënshkruash marrëveshje politike me të?
Kurti i kishte ofruar bashkëpunim në nivelin qendrorë vetëm LDK-së dhe NISMA-s. LDK-ja refuzoi — për arsye parimore dhe politike — sepse nuk bashkëpunon me ata që shpallen “tradhëtarë” nga vetë Ramushi. NISMA e provoi dhe doli e lagur nga përvoja. Por a do ta refuzonin PDK-ja apo AAK-ja një ofertë të tillë? Marrëveshja e Junikut — dhe duket se së shpejti edhe ajo e Pejës — tregojnë qartë se për AAK-në nuk është problem të bashkëpunojë me “produktet e luftës hibride të armiqve tanë”, thotë Gecaj.
Ai përmend se megjithatë, junikasit e dinë mirë se kush e udhëheq pastër interesin qytetar, Ruzhdi Shehu.
“Por junikasit e dinë më mirë. Ata kanë parime, kujtesë dhe dinjitet. E dinë kush ka punuar për Junikun, e kush ka qenë aty në çdo fazë të zhvillimit të tij. E dinë se kush e udhëheqë Junikun me interesin e pastër qytetar — dhe kush për interesa të importuara nga Deçani e selitë e “brigadave të kuqe.” Në fletëvotim mund të ketë dy emra, por në të vërtetë është vetëm një që përfaqëson Junikun, dinjitetin dhe zhvillimin e tij: Ruzhdi Shehu. Më 9 Nëntor: VOTO Lidhja Demokratike e Kosovës 113 VOTO Ruzhdi Shehun për Kryetar të Junikut”, thotë ai.