Një muaj paraburgim ndaj Beqë Shalës, prokurorit të dyshuar për marrje ryshfeti

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Beqë Shala pasi dyshohet për marrje ryshfeti. “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë…

Lajme

28/10/2025 17:46

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Beqë Shala pasi dyshohet për marrje ryshfeti.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë, po ashtu gjykata vlerësoj se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjykata ka njoftuar se kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Beqë Shala është arrestuar dje në vendin e tij të punës në Prokurorinë Themelore në Prizren.

Arrestimi i tij është bërë bazuar në një video-incizim të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

Në të njëjtën kohë, ky video-incizim është pranuar edhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, dhe më pas janë zhvilluar hetimet nga PSRK-ja.

Kjo provë ngrit dyshimet për kryerjen e veprës penale “Marrje ryshfeti” nga prokurori Shala.

Bazuar në video-incizimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, prokurori Shala është takuar me një avokate, që dyshohet të jetë Drenushë Berisha.

Takimi i tyre është zhvilluar më 25 gusht 2022 në veturën e Shalës. Avokatja Berisha në këtë takim dyshohet se i jep ryshfet Shalës 350 europër të mos paraqitur kërkesë për caktim të masës së paraburgimit, pas ndalimit të klientit të saj për 48 orë.

Avokatja Berisha: Mirë bre mirë a u lodhe ti, qysh po kalon?

Prokurori Shala: Qe ia lëshova vendimin atij, të lirohet meniherë.

Avokatja Berisha: Po se më thirrën familjarët më tha u kry, se e kishin marrë atë djalin në sabah, se unë kur të thirra qatëherë, se kur të shkrujta faktikisht veç sa shkova në punë. Tani e kishin marrë, ken masdite. Prokuror unë nuk e dita që qeshtu, po të kallxoj realisht unë ja mora atyne dje qysh u mora vesh veç 700 jau kom marrë. Qe ku i kam paret, m’i kanë pru sot. Se a e din qysh ke puna, nuk është që më ka ndodh najherë, qeshtu hera e parë dhe nuk…

Prokurori Shala: Këqyre une..

Avokatja Berisha: Jo unë qe ku i kam 700.

Prokurori Shala:  Njerzit bajnë.

Avokatja Berisha: Ooo e di prokuror unë noshta edhe jom e re, dhe nuk është që më ka ra në qesi situate, tash jena.

Prokurori Shala: Kqyre ishalla ngo, qirak le t’bahet, as unë s’kam asi. A e din kur, mas nja pesë 5 vjete që i pata Beqë, jo mas një vjeti më kanë thanë Beqë- a e din Beqë Shala që njerëzit janë tu marrë parë në emër tanin. Kanë marrë (nuk kuptohet) heeej. S’po thom hallall, po kanë marrë a po kupton. Kanë marrë gjinja, ma kanë ngjit n’dorë, kanë thanë a po e sheh unë fola i dimë na ato, hin zyre e çel derën, thotë qe a po e sheh, a më pave e çela i fola. Le s’po e komplikojmë”.

Këto deklarime citohen në bisedën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”. Tutje, avokatja Berisha numëron paratë, dhe nga shuma prej 700 euro, gjysmën e tyre ia jep prokurorit Shala.

Prokurori Shala: Merre ti pjesën tane (nuk kuptohet).

Avokatja Berisha: Qe prokuror.

Prokurori Shala: Ja jaa

Avokatja Berisha: Jo unë, ti e din.

Prokurori Shala: Merri, merri.

Avokatja Berisha: Jo prokuror, qe 700.

Prokurori Shala: Merri moj.

Avokatja Berisha: Hiç s’është problem.

Prokurori Shala: Merri, merri. Pasha Zotin (nuk kuptohet).

(I numëron paratë)

Avokatja Berisha: 200.

Prokurori Shala: Sa i ki?

Avokatja Berisha: 200.

Prokurori Shala: 250. Sa the?

Avokatja Berisha: 700 unë ja kom marrë deri në fund të procedurës.

Prokurori Shala: Ahaa, këtu ken 200, 350. Hajr i koftë, ishalla ia shohim hajrin. /lajmi.net/