Nënshkroi koalicion me VV-në, këto janë masat me të cilat mund të përballet Tahiri sipas statutit të LDK-së
Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nënshkroi sot koalicion me kandidatin e LVV-së për kryetar në këtë komunë, Sylejman Meholli për ta përkrahur këtë të fundit në balotazh kundër kandidatit të PDK-së. Nënshkrimi i marrëveshjes për këtë koalicion u bë edhe në praninë e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti. Mirëpo, pas kësaj…

Lajme
Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nënshkroi sot koalicion me kandidatin e LVV-së për kryetar në këtë komunë, Sylejman Meholli për ta përkrahur këtë të fundit në balotazh kundër kandidatit të PDK-së.
Nënshkrimi i marrëveshjes për këtë koalicion u bë edhe në praninë e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti.
Mirëpo, pas kësaj reagoi Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila tha se kandidati i saj për kryetar të kësaj komune Xhafer Tahiri ka ndërmarrë hapa për të formuar këtë koalicion pa miratimin e partisë.
Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftim, ku u theksua se do të merren masa.
Sipas Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), çdo anëtar që vepron kundër Programit, Statutit, vendimeve apo qëndrimeve të organeve të partisë, mund të përballet me masa disiplinore, përfshirë edhe largimin nga partia.
Në Nenin 13 të Statutit të këtij subjekti thuhet se ndaj çdo anëtari që me veprimet apo sjelljet e tij dëmton interesat e LDK-së, mund të shqiptohen masa disiplinore, ndërsa zhvillimin e procedurës e bën Komisioni Disiplinor, i caktuar nga Kryesia e partisë.
Ndërsa Neni 14 përcakton qartë se largimi nga LDK mund të ndodhë në rastet kur anëtari: abuzon me vlerat dhe objektivat themelore të partisë; vepron kundër kandidatëve të LDK-së në zgjedhje ose mbështet subjekte të tjera politike apo kandidatët e tyre.
Statuti gjithashtu thekson se Këshilli i Përgjithshëm i partisë është ai që vendos për koalicionet para dhe pas zgjedhore në nivel qendror, kurse Kryesia vendos për koalicione në nivel lokal.
Po ashtu, statuti ndalon që anëtarët të mbajnë pozita brenda organeve të LDK-së nëse publikisht refuzojnë ose mohojnë vendimet e forumeve ku bëjnë pjesë.
Vendimin për masën disiplinore e merr Komisioni Disiplinor, ndërsa ankesa mund të bëhet në Këshillin e Përgjithshëm, vendimi i të cilit është përfundimtar.