Nga “institucioni më kredibil në Kosovë”, te kërkesa për hetim – Kurti dhe VV ndryshojnë qëndrim ndaj UBO Consulting

Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, dikur e vlerësonin lart kompaninë UBO Consulting, duke e cilësuar si organizatën më të besueshme për hulumtime dhe sondazhe në vend. Por, pas rezultateve të exit poll-it në zgjedhjet lokale në Mitrovicë të Jugut, të cilat nuk përputheshin me rezultatin përfundimtar, qëndrimi i tyre ka ndryshuar rrënjësisht.…

Lajme

14/10/2025 13:11

Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, dikur e vlerësonin lart kompaninë UBO Consulting, duke e cilësuar si organizatën më të besueshme për hulumtime dhe sondazhe në vend. Por, pas rezultateve të exit poll-it në zgjedhjet lokale në Mitrovicë të Jugut, të cilat nuk përputheshin me rezultatin përfundimtar, qëndrimi i tyre ka ndryshuar rrënjësisht.

Në një konferencë për media të mbajtur dje, Kurti kërkoi që të hetohen kompanitë që publikuan sondazhet e ditës së diel, duke i akuzuar ato për “inxhiniering të paramenduar” dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor, transmeton lajmi.net.

“Ajo që ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë për huqje, por për inxhiniering të paramenduar, ndërhyrje flagrante në proces,” tha Kurti. “Exit pollet e prezantuara gabimisht me 16% dallim nga më shumë se një organizatë […] nuk janë thjesht huqje, është cenim i demokracisë.”

Kjo deklaratë bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qëndrimin që Kurti kishte shprehur publikisht disa vite më parë. Në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, ai kishte lavdëruar UBO Consulting si organizatën më kredibile në vend.

“Shikoni sondazhet, të cilët i bën organizata më kredibile në Kosovë e që i lexojnë që të gjithë […] UBO Consulting është ajo që i bën sondazhet,” kishte deklaruar Kurti në atë kohë.

Vlerësim të ngjashëm kishte dhënë edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, i cili në vitin 2020 e kishte quajtur UBO-n jo vetëm organizatë kredibile në Kosovë, por edhe në rajon.

“Sondazhi është kryer nga institucioni UBO, i cili është institucioni më kredibil në Kosovë, ndoshta në rajon për sa i përket hulumtimit të opinionit publik,” kishte thënë Bislimi.

Qëndrimi i tanishëm i VV-së dhe liderëve të saj ndaj UBO Consulting vjen pas publikimit të një exit poll-i për Mitrovicën e Jugut, ku kompania e nxori Arian Tahirin, kandidatin e VV-së, fitues pa balotazh – rezultat ky që më vonë nuk u konfirmua nga numërimi zyrtar i votave.

Ky ndryshim i qëndrimit ka nxitur debat publik dhe reagime nga analistë e gazetarë, të cilët kërkojnë sqarime për mënyrën se si VV i ka bashkëpunuar ndër vite me UBO-n dhe tani po e vë në shënjestër për gabime që, sipas vetë liderëve të saj, në të kaluarën ishin të pamundura nga një organizatë “kaq kredibile”./lajmi.net/