Institucionet e sigurisë në terren për të monitoruar situatën në ditën e zgjedhjeve
EULEX-i në koordinim me Policinë e Kosovës dhe trupat e KFROR-it ka vendosur patrulla mobile në disa pjesë të vendit, më qëllim monitorimin e situatës së sigurisë në ditën e zgjedhjeve lokale. “Në ditën e zgjedhjeve komunale, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, patrullat mobile të EULEX-it janë në terren për të monitoruar…

Lajme
EULEX-i në koordinim me Policinë e Kosovës dhe trupat e KFROR-it ka vendosur patrulla mobile në disa pjesë të vendit, më qëllim monitorimin e situatës së sigurisë në ditën e zgjedhjeve lokale.
“Në ditën e zgjedhjeve komunale, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, patrullat mobile të EULEX-it janë në terren për të monitoruar situatën e sigurisë në të gjithë Kosovën: një mjedis paqësor është thelbësor për t’u mundësuar votuesve të mundshëm të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, shkroi EULEX-i në Facebook.
Qytetarët e Republikës së Kosovës ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.
Votimi përmes postës ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar dje, më 11 tetor.
Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5.624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5.419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Vendvotimet u hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00. Kjo periudhë llogaritet heshtje zgjedhore./kp