​Murati: Nevojiten edhe 5 vota për ta përfunduar këtë sagë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati tha se në asnjë pikë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk thuhet, sipas tij, që nënkryetari nga pakicat serbe i takon ekskluzivisht Listës Serbe. Para fillimit të seancës konstituive për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë, Murati tha se nevojiten edhe pesë vota për zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar,…

Lajme

10/10/2025 10:25

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati tha se në asnjë pikë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk thuhet, sipas tij, që nënkryetari nga pakicat serbe i takon ekskluzivisht Listës Serbe.

Para fillimit të seancës konstituive për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë, Murati tha se nevojiten edhe pesë vota për zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar, i cili është kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Ministri në detyrë i Financave tha para gazetarëve se “Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar që ndarja e deputetëve nga pakoja nuk ishte shkelje kushtetuese”.

“Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar që ndarja e deputetëve nga pakoja nuk ishte shkelje kushtetuese, pra është në përputhje me Kushtetutën. Gjithashtu ka konstatuar që deputeti apo nënkryetari i pestë duhet të vie nga deputetët që janë përfaqësues të komunitetit jo-shumicë serbë. Në asnjë pikë, në asnjë paragraf, në asnjë fjali nuk përmendet që kjo e drejtë i takon ekskluzivisht Listës Serbe. Pra, mund të jetë njeri nga dhjetë deputetët që përfaqësojnë komunitetin serbë, jo-shumicë dhe në anën tjetër ka konstatuar që edhe mekanizmat de-bllokues, siç është rasti i tre tentativave për kandidatë, vlejnë edhe për nënkryetarin, si dhe mekanizmi tjetër de-bllokues ka konstatuar që është në rregull, që është zgjedhja përmes shortit në rast se ka refuzim apo mungesë të propozimit të kandidatëve tjerë”, deklaroi Murati, transmeton kp.

Murati tha se deputetit serb, Nenad Rashiq i nevojiten edhe pesë vota për t’u zgjedhur nënkryetar.

“120 deputetëve u takon që të bëjnë çmos, që të votojnë, të votojnë fillimisht për, kundër dhe abstenim dhe të mos shkelin Kushtetutën siç kanë bërë disa deputetë të opozitës në seancën e kaluar si dhe në anën tjetër edhe kur të votojnë, ta kenë parasysh interesin shtetëror në mënyrë që të votohet për një kandidat i cili do të merrte votat. Dhe siç e dimë herën e fundit zotëri Nenad Rashiq kishte marrë 56 vota, krejt çfarë nevojiten janë edhe 5 vota nga 52 deputetët shqiptarë për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta përfunduar këtë sagë”, ka shtuar Murati.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po mblidhen sërish sot në tentimin e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Të zgjedhurit e popullit para vetes kanë vetëm një pikë në rend të ditës: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Gjykata Kushtetuese më 8 tetor ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin e konstituimit. Afati prej 12 ditësh ka nisur të rrjedhë prej ditës kur aktgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor.