Cakolli: Zgjedhja e nënkryetarit serb është obligim kushtetues – jo vetëm procedurë
Eugen Cakolli nga Instituti Kosovar për Demokraci në një lexim të tij të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës, tha se është “obligim dhe kategori kushtetuese”. “Çështja duket se nuk është më “a do të konstituohet Kuvendi”, por “kush do ta bllokojë konstituimin” – shumica shqiptare apo komunitetet”,…

Lajme
Eugen Cakolli nga Instituti Kosovar për Demokraci në një lexim të tij të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës, tha se është “obligim dhe kategori kushtetuese”.
“Çështja duket se nuk është më “a do të konstituohet Kuvendi”, por “kush do ta bllokojë konstituimin” – shumica shqiptare apo komunitetet”, tha ai.
Postimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese ka qartësuar pak rrugën për konstituimin e Kuvendit, ndonëse në disa pjesë arsyetimet e saj nuk janë plotësisht në sinkron me aktgjykimet paraprake.
Megjithatë, pas aktgjykimit të sotëm, situata praktikisht është kështu:
• Vazhdimi i seancës konstituive duhet të thirret brenda 48 orëve të ardhshme.
• Parimisht, Kuvendi nuk mund të konstituohet pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët. Zgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet është kategori dhe obligim kushtetues, jo thjesht aspekt procedural.
• Çështja duket se nuk është më “a do të konstituohet Kuvendi”, por “kush do ta bllokojë konstituimin” – shumica shqiptare apo komunitetet.
• Lista Serbe ka të drejtë t’i propozojë sërish secilin prej 10 deputetëve serb për pozitën e nënkryetarit. Normalisht, pres që të propozohen të 9 deputetët e saj, me nga tri tentime për secilin.
Nëse asnjëri nuk merr shumicën e votave, duhet të propozohet edhe deputeti i 10-të, Nenad Rashiq, që është serb, ndonëse jo pjesë e Listës Serbe. Kjo është rruga e vetme ligjore për të përmbushur konstituimin dhe për të respektuar vetë aktgjykimin.
• Nëse Lista Serbe refuzon ta propozojë Rashiqin, atëherë Kryetari i Kuvendit ka të drejtë të zbatojë shortin. Gjykata nuk e ka vlerësuar këtë procedurë si kundërkushtetuese, prandaj ajo mbetet instrument legjitim për të shmangur bllokadën.
• Dhe këtu është pika thelbësore, e cila, fatkeqësisht, nuk është sqaruar sa duhet: nëse as pas shortit nuk zgjidhet nënkryetari serb (pra, hipotetikisht as Rashiq), atëherë përgjegjësia për dështimin bie te shumica shqiptare, meqë komuniteti serb e ka konsumuar të drejtën e vet deri në fund.
• Në atë rast, Kuvendi ka dështuar përfundimisht të konstituohet. Dhe sado që Gjykata do të duhej ta formalizonte këtë me një vendim të ri, zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme e logjikshme.
• Përjashtimi i vendosur nga Gjykata (pika 148) – që lejon funksionimin edhe pa një (apo deri në dy) anëtar të Kryesisë – vlen vetëm në situatën hipotetike kur komuniteti serb vetë e pengon procesin, duke mos propozuar fare.
Pra, si përjashtim, kjo dispozitë duket të vlejë më shumë për skenarin kur një subjekt serb do t’i fitonte të gjitha mandatet dhe do ta sabotonte procedurën, e jo kur shumica refuzon të votojë kandidatin e tyre.
• Prandaj, po, komuniteti serb e ka një formë “vetoje” – por që është relative, dhe shtrihet vetëm aq sa shumica shqiptare e lejon. Në fund, gjithçka varet nga vullneti politik i shumicës për ta respektuar frymën e Kushtetutës dhe për ta përmbyllur këtë proces.