U ndalua edukatorja që dyshohet ta ketë lënduar një fëmijë në kopsht, Prokuroria nis hetimet
Një fëmijë e moshës 1 vjeçare ka pësuar lëndime trupore të cilat dyshohet t’ia ketë shkaktuar edukatorja e saj në kopsht. Edukatorja e cila dyshohet ta ketë bërë këtë, është arrestuar dje dhe është dërguar në mbajtje. Lajmin për këtë e ka konfirmuar dje për lajmi.net, zëdhënësja e Policisë së Kosovës në Lipjan, Flora Ahmeti.…

Lajme
Një fëmijë e moshës 1 vjeçare ka pësuar lëndime trupore të cilat dyshohet t’ia ketë shkaktuar edukatorja e saj në kopsht.
Edukatorja e cila dyshohet ta ketë bërë këtë, është arrestuar dje dhe është dërguar në mbajtje.
Lajmin për këtë e ka konfirmuar dje për lajmi.net, zëdhënësja e Policisë së Kosovës në Lipjan, Flora Ahmeti.
“Po pas përfundimit të disa veprimeve hetimore është arrestuar personi i dyshuar dhe me vendim të prokurorit e njëjta është dërguar në mbajtje”, ka thënë Ahmeti për lajmi.net.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar një person dyzet e tetë (48) orësh për shkak të veprës penale ”Lëndim i lehtë trupor” bazuar në nenin 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Aktualisht, rasti është në trajtim dhe janë duke u ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore lidhur me çështjen në fjalë”, ka thënë Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Për rastin, ka njoftuar fillimisht daja i vogëlushes, i cili përmes një postimi në rrjete sociale ka publikuar fotografi ku shihen shenja dhune në zonën e qafës.
Daja i vogëlushes, Shaban Avdyli ka thënë më pas për klankosova se kur nëna e vajzës ka shkuar për ta marrë nga çerdhja, ia ka vërejtur shenjat e thonjve në fytin e saj.
“Kjo është situata në fjalë: Ka shkuar nëna e vajzës për ta marrë vajzën nga çerdhja dhe e kanë vërejtur vajzën me shenja thonjsh në fyt. Dyshuam se edukatorja mund të kishte ushtruar dhunë fizike ndaj vogëlushes njëvjeçare”, u shpreh ai.
Avdyli shtoi se dyshimet e para i kishin tek edukatorja, ndaj edhe kanë vendosur që t’i shikojnë kamerat e sigurisë, nga ku sipas tij, vërtetuan atë për çka edhe dyshonin.
“Pas kësaj, e pamë në kamerat e sigurisë që edukatorja në fjalë e ka kapur për fyti, e ka përplasur në dysheme dhe e ka goditur me top”, tha daja i vogëlushes, derisa u shpreh se edukatorja e kishte pranuar fajin dhe kishte kërkuar falje.
“E ka pranuar dhe më thoshte kam gabuar, më fal”, shtoi Avdyli.
Ai bëri të ditur se në lidhje me këtë rast kanë bërë denoncim në polici, derisa njëvjeçaren e kanë dërguar në Emergjencën e Prishtinës për trajtim mjekësor.
Nga Policia gjatë ditës kanë deklaruar se dje në stacionin policor në Lipjan është iniciuar një rast lëndim trupor, ku janë intervistuar ankuesja dhe e dyshuara.
Në bazë të konfirmimit të policisë, e dyshuara tashmë është e lirë.
“Rasti po trajtohet në procedurë të rregullt përkitazi me udhëzimet e prokurorit të shtetit”, thuhet tutje në konfirmim. /Lajmi.net/