100 euro për studentët, Krasniqi: Kurti po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën – Merrni paratë por ndëshkojeni atë me votë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pasi Qeveria në detyrë ka vendosur të ndaj 26 milionë euro, nga 100 euro për student. Në lidhje me këtë, Krasniqi ka thënë se kryeministri në largim, Albin Kurti ka humbur tashmë çdo legjitimitet, dhe sipas tij po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret…

Lajme

07/10/2025 16:39

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pasi Qeveria në detyrë ka vendosur të ndaj 26 milionë euro, nga 100 euro për student.

Në lidhje me këtë, Krasniqi ka thënë se kryeministri në largim, Albin Kurti ka humbur tashmë çdo legjitimitet, dhe sipas tij po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën.

“Pas katër vitesh dështimesh në qeverisje dhe degradimi të sistemit arsimor, ai sot vendosi të ndajë 26 milionë euro, nga 100 euro për student, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve. Kjo nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote. Megjithatë, ky është një tjetër gjykim i gabuar për studentët kosovarë, sepse ata as nuk blihen e as nuk shiten”, ka shkruar Krasniqi.

Ai i ka ftuar studentët që t’i marrin ato mjete, pasi sipas tij janë nga taksat e familjeve të tyre.

“Unë i ftoj studentët që t’i marrin ato mjete, që janë nga taksat e familjeve të tyre, por të dielën ta përdorin votën e tyre për ta ndëshkuar një kryeministër që ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit”, ka shtuar Krasniqi.

Qeveria në detyrë sot ka marrë disa vendime për të mbështetur familjet e cenueshme dhe studentët.

 Janë ndarë 6 milionë euro për mbështetje të njëhershme prej 100 euro për secilin student, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik dhe është miratuar bursa e mobilitetit me vlerë 20 milionë euro, që mbështet studentët nga familjet me të ardhura nën mesatare, varësisht nga distanca mes vendbanimit dhe universitetit.

Gjithashtu janë ndarë 1 milion euro për familjet në nevojë, përmes shpërndarjes së pakove ushqimore në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, me qëllim që ndihma e shtetit të arrijë edhe tek ata që shpesh mbeten jashtë mekanizmave standardë.

Është miratuar programi për subvencionim të energjisë për konsumatorët e cenueshëm. Përmes tij parashihen pagesa të pjesshme apo të plota të energjisë direkt në llogarinë e konsumatorit për familjet me të ardhura nën 150 euro për anëtar në muaj.

U ndanë 2.5 milionë euro për blerjen e librave dhe materialeve shkollore për vitin shkollor 2025/2026, duke përmbyllur subvencionimin e plotë për nxënësit. Gjithashtu janë ndarë  50 mijë euro për integrimin e trashëgimisë kulturore në planifikimin hapësinor, në kuadër të marrëveshjeve me trupat e OKB-së si dhe 150 mijë euro për realizimin e projekteve të përbashkëta përmes marrëveshjeve me trupat e OKB-së, si kërkesë e ZKM-së. /Lajmi.net/ 

Postimi i plotë i Krasniqit në Facebook: