Kurti që krenohej se e ka çliruar veriun, fillon të ankohet: Serbia po ndërhyn në zgjedhjet në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur akuza të forta ndaj Serbisë, duke e akuzuar për ndërhyrje direkte në procesin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë. Gjatë një mbledhjeje të Qeverisë, Kurti u shfaq si viktimë e një fushate të orkestruar nga Beogradi, që sipas tij, ka për qëllim të ndikojë…

Lajme

07/10/2025 12:55

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur akuza të forta ndaj Serbisë, duke e akuzuar për ndërhyrje direkte në procesin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë.

Gjatë një mbledhjeje të Qeverisë, Kurti u shfaq si viktimë e një fushate të orkestruar nga Beogradi, që sipas tij, ka për qëllim të ndikojë te votuesit serbë në Kosovë përmes joshjes financiare dhe shantazhit.

“Premtimet për vende pune, përfitimet financiare dhe presioni i hapur që bëhet përmes strukturave shtetërore dhe joshtetërore të Serbisë nuk janë gjë tjetër veçse ndërhyrje brutale në procesin tonë demokratik”, deklaroi Kurti, transmeton lajmi.net.

Ai iu referua deklaratave të fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ish-kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, të cilët kanë premtuar hapjen e 400 vendeve të reja pune në sektorin e shëndetësisë për qytetarët serbë në Kosovë.

Kurti paralajmëroi se këto veprime përbëjnë një cenim të drejtpërdrejtë të sovranitetit të Kosovës dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian të reagojë me dënim të qartë dhe sanksione ndaj Serbisë.

“Nëse nuk dënohet një veprim i tillë, atëherë dëmtohet parimi i barazisë ndërmjet shteteve dhe vetë proceset demokratike në Ballkan”, tha Kurti.

Ndërkohë, në të njëjtën mbledhje të Qeverisë, Kurti njoftoi për ndarjen e 100 eurove për studentët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, si një formë mbështetjeje për rininë kosovare./lajmi.net/