Aktakuzat në mungesë për krime lufte, drojë se do të kthehen në praktikë për PSRK-në
Në 6 mujorin e parë të këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur 6 aktakuza për krime lufte. Katër nga këto aktakuza janë në mungesë. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, kjo nuk është zgjidhja e duhur për të adresuar krimet e luftës. “Shqetësimi jonë në lidhje me këto aktakuza është se mos po…

Lajme
Në 6 mujorin e parë të këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur 6 aktakuza për krime lufte.
Katër nga këto aktakuza janë në mungesë.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, kjo nuk është zgjidhja e duhur për të adresuar krimet e luftës.
“Shqetësimi jonë në lidhje me këto aktakuza është se mos po bëhet një lloj praktike shumë e vazhdueshme për me i trajtu këto çështje vetëm me mungesë, ne si Fond e kemi potencuar se më e rëndësishme apo çështja më primare për trajtimin e tyre është krijimi i një marrëveshje bashkëpunimi mes Kosovës e Serbisë ku nëpërmjet kësaj marrëveshje do shkëmbehen informatat, provat e ndryshme që këto raste të trajtohen në mënyrë sa më efektive”, ka thënë Nisa Ferati – Monitoruese e FDH-së.
Fondi për të Drejtën Humanitare ka publikuar dy raporte të shkurtra rreth aktakuzave e aktgjykimeve për krime të luftës.
Në raportin për aktgjykime thuhet se ka pasur trend pozitiv në trajtimin e rasteve nga Gjykata e Apelit.
“Është një gjë që po e vërejmë kohë pas kohë që gjykata e Apelit po i trajton ankesat me shumë efikasitet dhe në rast se ka shkelje po i trajton me shumë kujdes, kemi vërejtur që Apeli gjatë kësaj periudhe i ka nxjerr 2 aktgjykime njërin e ka kthyer në rigjykim, prokurori kundër Alidemajt për rigjykim duke vlerësuar se nuk janë shqyrtuar mirë provat kurse në rastin e dyte atë të Ekrem Bajroviq është konfirmuar aktgjykimi”, ka thënë Nisa Ferati – Monitoruese e FDH-së.
Nga muaji janar e deri në qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti special ka shpallur 5 aktgjykime për krime të luftës.
Hetimi i krimeve të luftës ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale që nga viti 2018, meqë para këtij viti këto raste janë hetuar prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX./rtv dukagjini /