Senatorët amerikanë amendament Kongresit: SHBA të mbështesë marrëveshje Kosovë-Serbi me njohje reciproke, jo shkëmbime territoresh
Senatorët amerikanë, republikani Thom Tillis dhe demokratja Jeanne Shaheen, i kanë prezantuar një amendament Kongresit amerikan përmes të cilit kërkojnë njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë dhe refuzim të politikës që mbështet ndryshimin e kufijve mes dy vendeve fqinje. “Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë,…

Lajme
Senatorët amerikanë, republikani Thom Tillis dhe demokratja Jeanne Shaheen, i kanë prezantuar një amendament Kongresit amerikan përmes të cilit kërkojnë njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë dhe refuzim të politikës që mbështet ndryshimin e kufijve mes dy vendeve fqinje.
“Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohje reciproke”, thuhet në këtë amendament.
Në tekstin që mban datën 6 shtator, para se SHBA të pezullojë Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, po ashtu i bëhet thirrje qeverisë amerikane që të vendosë dialogë strategjikë me të dyja vendet pasi ato të kenë shfaqur angazhimin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Amendamenti është pjesë e një projektligji, i cili parashikon buxhetin për vitin fiskal 2026 për ushtrinë amerikane, ndërtimet ushtarake dhe aktivitetet mbrojtëse të Departamentit të Energjisë. Amendamenti, që aktualisht është në pritje të shqyrtimit, përfshin edhe çështje që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe pozicionin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Në hyrje, dy senatorët thonë se vendet e Ballkanit Perëndimor përbëjnë një rajon pluralist dhe multietnik në zemër të Europës, i cili është vendimtar për paqen, stabilitetin dhe mirëqenien e këtij kontinenti.
“Vazhdimësia e paqes, stabilitetit dhe mirëqenies në Ballkanin Perëndimor është drejtpërdrejt e lidhur me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve dhe banorëve të këtyre shtatë vendeve. Është në interesin e përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe të shtatë vendeve të Ballkanit Perëndimor të promovojnë rritje dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në rajon”.
Më poshtë Neni 1280 që flet për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:
(a) Qëndrim i Kongresit.
Ky është qëndrimi i Kongresit që:
1. Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e cila u arrit midis Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt 2023, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, përbën një hap pozitiv përpara drejt avancimit të procesit të normalizimit midis dy vendeve;
2. Serbia dhe Kosova duhet të angazhohen për të bërë përparim të menjëhershëm në Aneksin e Zbatimit të marrëveshjes së përmendur në pikën (1);
3. Pasi të jetë arritur përparim i mjaftueshëm në Aneksin e Zbatimit, Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë mundësinë e nismave për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me të dyja vendet, që mund të përfshijnë:
(A) Krijimin e dialogëve strategjikë dypalësh me Kosovën dhe Serbinë; dhe
(B) Nisma konkrete për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimeve me të dyja vendet;
4. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohje reciproke.
(b) Shprehje e politikës shtetërore
Politika e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara është që:
1. Të mos ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbime territoresh, ndarje ose forma të tjera të rishkrimin e kufijve mbi baza etnike në Ballkanin Perëndimor si mënyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të rajonit; dhe
2. Të mbështesë demokracitë pluraliste në vendet e Ballkanit Perëndimor, si një mënyrë për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike që kanë karakterizuar më parë rajonin.