ShBA-ja ndan 230 milionë dollarë për Libanin që po punon për çarmatosjen e Hezbollahut
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka miratuar ndarjen e 230 milionë dollarëve këtë javë për forcat libaneze të sigurisë, në kohën kur ato po punojnë për çarmatosjen e Hezbollahut, thanë të enjten disa burime në Uashington e Bejrut. Këto fonde pritet t’i forcojnë forcat libaneze në fushatën e tyre për ta dobësuar Hezbollahun,…

Bota
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka miratuar ndarjen e 230 milionë dollarëve këtë javë për forcat libaneze të sigurisë, në kohën kur ato po punojnë për çarmatosjen e Hezbollahut, thanë të enjten disa burime në Uashington e Bejrut.
Këto fonde pritet t’i forcojnë forcat libaneze në fushatën e tyre për ta dobësuar Hezbollahun, grup që dikur ishte i fuqishëm dhe gëzon mbështetje nga Irani. Hezbollahu pësoi humbje të rënda gjatë luftës me Izraelin që përfundoi në nëntorin e vitit të kaluar, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Ndihmësit demokratë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara thanë se fondet për forcat libaneze janë lëshuar pak para përfundimit të vitit fiskal, i cili mbaroi më 30 shtator.
“Për një shtet të vogël si Libani, kjo është vërtet, vërtet domethënëse” – tha njëri nga ndihmësit në një bisedë me gazetarë, duke kërkuar që të mbetej anonim për të folur lirshëm.
Një burim libanez i afërt me këtë vendim tha se në fonde përfshihen 190 milionë dollarë për Forcat e Armatosura Libaneze dhe 40 milionë dollarë për Forcat e Sigurisë së Brendshme.
Departamenti i Shtetit i ShBA-së nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Fondet u lëshuan në kohën kur administrata e presidentit Trump ua ka zvogëluar mjetet shumë programeve të asistencës së jashtme, duke thënë se prioritet në shpenzimin e parave të taksapaguesve amerikanë është “Amerika e Para”.