​Macron: Dronët që shkelin hapësirën ajrore evropiane do të shkatërrohen

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se dronët që shkelin hapësirën ajrore evropiane do të shkatërrohen, teksa udhëheqësit po shqyrtojnë një përgjigje ndaj shkeljeve të dyshuara të hapësirës ajrore ruse në javët e fundit. “Është shumë e rëndësishme të kemi një mesazh të qartë. Dronët që do të shkelin territoret tona, thjesht po marrin një…

Bota

02/10/2025 16:26

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se dronët që shkelin hapësirën ajrore evropiane do të shkatërrohen, teksa udhëheqësit po shqyrtojnë një përgjigje ndaj shkeljeve të dyshuara të hapësirës ajrore ruse në javët e fundit.

“Është shumë e rëndësishme të kemi një mesazh të qartë. Dronët që do të shkelin territoret tona, thjesht po marrin një rrezik të madh. Ato mund të shkatërrohen”, tha Macron në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë.

Macron riafirmoi se ata do të bënin atë që duhet të bënin për të ruajtur ajrin dhe integritetin territorial, raporton KosovaPress.

“Ne jemi të gatshëm dhe jemi në pozicion për të ruajtur hapësirën ajrore dhe integritetin tonë territorial. Ne jemi të gatshëm në krahun lindor të NATO-s dhe në të njëjtën kohë jemi të gatshëm edhe për më tepër, si dhe pa e zvogëluar këtë angazhim për të ofruar garanci të sigurisë për Ukrainën”, shtoi ai.

Dje, në një intervistë për gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Macron tha se ata nuk do të përjashtojnë asgjë nëse një avion luftarak rus hyn në hapësirën ajrore evropiane.

“Në përputhje me doktrinën e paqartësisë strategjike, mund t’ju them se asgjë nuk është jashtë diskutimit”, tha ai.

Shumë vende të BE-së, përfshirë Poloninë, Rumaninë, Letoninë, Estoninë, Norvegjinë dhe Danimarkën, së fundmi kanë raportuar shkelje të hapësirës ajrore ose ndërprerje nga drone, transmeton ATSH.