12 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e vjehrrit, iu ricilësua vepra penale

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Edon Bujupit i akuzuar për vrasjen e vjehrrit të tij A.K. Me këtë aktgjykim, Bujupi u shpall fajtor për “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” dhe u dënua me 12 vjet burgim. Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Bujupi u shpall të hënën nga kryetarja…

Lajme

29/09/2025 13:38

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Edon Bujupit i akuzuar për vrasjen e vjehrrit të tij A.K. Me këtë aktgjykim, Bujupi u shpall fajtor për “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” dhe u dënua me 12 vjet burgim.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Bujupi u shpall të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit, në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, masë e cila iu vazhdua.

Bujupi obligohet edhe për shpenzimet procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 100 euro dhe 50 euro të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Palët e dëmtuara A.K., dhe A.K., udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil. Ankesa është e lejuar në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit përmes kësaj gjykate.

Në arsyetimin e vendimit, gjykatësja Dermaku tha se arsyeja e ricilësimit të veprës penale nga “Vrasje” në “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” është se i akuzuari ka qenë i sulmuar nga viktima dhe dëshmitari.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e datës 21 tetor 2024, thuhet se Edon Bujupi, me datë 29 nëntor 2023, rreth orës 21:15, në banesën e tij në rrugën “Ali Vitija”, pas një mosmarrëveshjeje mes tij dhe miqve të tij (babait dhe vëllait të gruas), kanë filluar përleshjen mes vete, ku gjatë përleshjes fizike, me dashje që ta privojë nga jeta, i pandehuri Edon godet me armë të ftohtë – thikë e cila kishte gjatësinë e tehut 19 centimetra – në regjionin e majtë të kraharorit tani të ndjerit A.K., i cili si pasojë e plagëve të shkaktuara ka ndërruar jetë në SHSKUK.

Me këtë, Bujupi sipas aktakuzës thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.