Deficiti më i madh tregtar në histori – AKB: Qeveria po e shkatërron ekonominë me modelin aktual

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ashpër ndaj përkeqësimit të thellë të bilancit tregtar të Kosovës, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe pasojë direkte e mungesës së politikave zhvillimore nga ana e Qeverisë së Kosovës.   Në një reagim publik, AKB ka theksuar se paralajmërimet e mëhershme për rritjen e frikshme të importit…

Lajme

29/09/2025 13:04

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ashpër ndaj përkeqësimit të thellë të bilancit tregtar të Kosovës, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe pasojë direkte e mungesës së politikave zhvillimore nga ana e Qeverisë së Kosovës.

 

Në një reagim publik, AKB ka theksuar se paralajmërimet e mëhershme për rritjen e frikshme të importit tashmë po bëhen realitet. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2025, importet kanë tejkaluar shifrën prej 5 miliardë eurosh, ndërsa eksportet janë ulur me rreth 30 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

 

“Kjo është pasqyra më e qartë e një ekonomie të brishtë, që konsumon produkte të gatshme nga jashtë dhe eksporton para të gatshme. Kosova po varfërohet çdo ditë, qytetarët po humbasin fuqinë blerëse, dhe prodhuesit vendorë po mbesin pa përkrahje. Nëse Qeveria vazhdon të heshtë, ky vit do ta gjejë Kosovën me deficitin tregtar më të thelluar në histori,” deklaroi kryetari i AKB-së, Agim Shahini.

 

AKB e konsideron modelin aktual ekonomik të Kosovës të dështuar, duke theksuar se vendi mbështetet kryesisht në ndërtimtari dhe tregti, ndërsa sektorë strategjikë si bujqësia, prodhimi, industria nxjerrëse dhe energjia po neglizhohen. Sipas AKB-së, ky model jo vetëm që nuk garanton zhvillim afatgjatë, por përbën rrezik të drejtpërdrejtë për stabilitetin ekonomik të vendit.

 

Në këtë drejtim, AKB i bën thirrje urgjente Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar situatën ekonomike, duke propozuar:

 

Subvencionim real dhe përkrahje për prodhuesit vendorë;

Lehtësira për eksportuesit dhe hapje të tregjeve të reja;

Orientim të investimeve në prodhim, bujqësi, industri dhe energji;

Politika fiskale që rrisin fuqinë blerëse të qytetarëve;

Hartim të një strategjie kombëtare për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

“Kosova nuk mund të ndërtojë mirëqenie mbi konsum dhe import. Pa prodhim, eksport dhe politika zhvillimore të guximshme, vendi do të mbetet i varur dhe i varfëruar,” përfundoi Shahini.