Lavrov nga OKB: Rusia s’ka plan të sulmojë NATO-n, por do të përgjigjet vendosmërisht ndaj çdo agresioni, le të mos ketë dyshime për këtë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka mohuar kategorikisht akuzat për plane të mundshme të Moskës për të sulmuar vende të NATO-s apo Bashkimit Evropian. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Lavrov ka deklaruar se Rusia nuk përbën kërcënim për Perëndimin dhe se retorika rreth një sulmi të…

Bota

27/09/2025 20:21

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka mohuar kategorikisht akuzat për plane të mundshme të Moskës për të sulmuar vende të NATO-s apo Bashkimit Evropian.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Lavrov ka deklaruar se Rusia nuk përbën kërcënim për Perëndimin dhe se retorika rreth një sulmi të mundshëm rus është “provokative” dhe e pabazë, transmeton lajmi.net.

“Rusia po akuzohet se gati po përgatitet të sulmojë NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, u shpreh Lavrov.

“Presidenti Putin i ka hedhur poshtë vazhdimisht këto provokime. Rusia nuk ka dhe nuk synon të ketë qëllime të tilla.”

Megjithatë, Lavrov paralajmëroi se nëse ndonjë shtet tenton agresion ndaj Federatës Ruse, përgjigjja do të jetë e menjëhershme dhe e vendosur.

“Çdo agresion kundër vendit tim do të përballet me një përgjigje vendimtare. Le të mos ketë dyshime për këtë në NATO dhe BE”, përfundoi ai.

Disa shtete të Evropës Lindore kanë akuzuar Rusinë në javët e fundit për shkelje të hapësirës ajrore përmes dronëve dhe avionëve luftarakë – një gjë që Kremlini e ka mohuar në mënyrë të përsëritur./lajmi.net/