Aktgjykimi i plotë që demaskon mosveprimin – Peshku me krimba duhej të asgjësohej që në korrik, por ende gjendet në depo

Disa herë u raportua mbi dyshimet se në peshkun e ngrirë që blinin kosovarët gjendeshin krimba e parazitë të ndryshëm, e tejet të rrezikshëm për shëndetin. Raportimet mbi këtë çështje nisën para disa viteve, por situata sikur ishte “mbyllur” duke theksuar se peshku nuk ishte hedhur në shitje. Por së fundi një publikim nxori sërish…

Lajme

26/09/2025 18:03

Disa herë u raportua mbi dyshimet se në peshkun e ngrirë që blinin kosovarët gjendeshin krimba e parazitë të ndryshëm, e tejet të rrezikshëm për shëndetin. Raportimet mbi këtë çështje nisën para disa viteve, por situata sikur ishte “mbyllur” duke theksuar se peshku nuk ishte hedhur në shitje.

Por së fundi një publikim nxori sërish në pah atë se si peshku i ngrirë e me krimba u soll në tregun e Kosovës dhe nuk u asgjësua- e kësisoj qytetarët vazhdojnë të rrezikohen nga prania e parazitëve të ndryshëm e të rrezikshëm në produkte ushqimore.

Në raportimin e vox kosova po ashtu u hodh dritë se si Ministria e Bujqësisë bashkë me institucione të tjera përkatëse lejuan një gjë të tillë.

Pikërisht në lidhje me këtë situatë të krijuar, lajmi.net ka siguruar aktgjykimin e plotë të Gjykatës Komerciale në Prishtinë, i cili hedh dritë mbi veprimet institucionale dhe ligjore që janë ndërmarrë për këtë rast.

Bëhet fjalë për Aktvendimin e nxjerrë datë 01.09.2025, e lëshuar nga Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale, në lidhje me kompaninë “Delfin L.T.D” dhe kërkesën e saj për sigurimin e provës përmes ekspertizës ndërkombëtare.

04.07.2025 – Fillimi i procedurës gjyqësore

Sipas aktgjykimit, më 04.07.2025, kompania “Delfin L.T.D” ka dorëzuar pranë Gjykatës Komerciale një propozim për sigurimin e provës. Kjo kërkesë kishte për qëllim caktimin e një ekspertize ndërkombëtare ose laboratorike të akredituar për të analizuar produktin e peshkut që ishte bllokuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

23.07.2025 – Refuzimi i kërkesës nga Gjykata e Shkallës së Parë

Më 23.07.2025, Gjykata Komerciale – Dhomat e Shkallës së Parë, përmes aktvendimit KP.nr.573/25, refuzoi kërkesën e “Delfin L.T.D”, duke vlerësuar se nuk plotësoheshin kushtet ligjore për sigurimin e provës. Gjykata arsyetoi se nuk ishte vërtetuar asnjë rrezik i zhdukjes së provës, siç kërkohet sipas nenit 379 par. 1 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (LPK). Kjo dispozitë lejon sigurimin e provës vetëm nëse ekziston një rrezik real që ajo mund të zhduket ose të bëhet e papërdorshme në të ardhmen.

“Propozuesi nuk ka arritur të argumentojë me asnjë fakt se ekziston rreziku i zhdukjes së provës apo që nxjerrja e saj do të vështirësohet në të ardhmen.” – thuhet në aktgjykim.

27.08.2025 – Seanca e Dhomës së Shkallës së Dytë

Më 27.08.2025, Dhoma e Shkallës së Dytë ka mbajtur seancën vendimtare, ku janë shqyrtuar ankesat e paraqitura nga përfaqësuesit e kompanisë. Pavarësisht pretendimeve se AUV ka vepruar në mënyrë të njëanshme dhe se analizat e saj nuk janë të besueshme, Gjykata e Shkallës së Dytë ka vlerësuar se kompetencat ligjore për analizat laboratorike i takojnë AUV-së dhe se vendimet e këtij institucioni janë të vlefshme dhe të ligjshme.

“Nuk është qëllimi i procedurës për sigurimin e provës të kundërshtojë gjetjet e një organi publik që ka vepruar në kuadër të autorizimeve të tij ligjore.” – citon aktgjykimi.

01.09.2025 – Aktvendimi përfundimtar

Në fund, më 01.09.2025, Gjykata Komerciale – Dhoma e Shkallës së Dytë, ka nxjerrë aktvendimin përfundimtar, duke refuzuar si të pabazuar ankesën e “Delfin L.T.D” dhe duke vërtetuar vendimin e shkallës së parë. Në këtë aktvendim, Gjykata i jep dritë jeshile AUV-së për të vazhduar me procesin e asgjësimit të sasisë prej 35,170 kilogramëve peshk të kontaminuar, e cila aktualisht ndodhet e bllokuar në depon e kompanisë.

Por çka thotë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë?

Në përgjigjen e saj zyrtare për lajmi.net, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) sot konfirmon zbatimin e këtij aktgjykimi, duke deklaruar se sasia prej 35, 170 kilogramëve peshk u bllokua në depon e kompanisë dhe se nuk u vu në qarkullim për t’u shitur. AUV gjithashtu tha se do të jap detaje për momentin e asgjësimit.

“Në lidhje me këtë çështje, kemi edhe vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë – Dhoma e shkallës së dytë, sipas Aktvendimit Nr. të lëndës 2025:134825 me nr. dokumenti 07679680. Në përputhje me këtë vendim, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, janë duke ndërmarrë përgatitjet për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk, me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare. Ky proces është i domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit publik dhe ruajtjen e integritetit të tregut ushqimor në Kosovë. Gjithashtu, ju njoftojmë se sasia e lartpërmendur e peshkut për asgjësim është aktualisht e bllokuar në depon e kompanisë dhe nuk është vënë në qarkullim në treg. Në momentin e asgjësimit AUV do të ju njoftoj.”

Çka thotë aktgjykimi për rrezikun shëndetësor?

Në pjesët më vendimtare të aktgjykimit thuhet qartë se produktet e analizuara nga AUV janë të kontaminuara me parazitë të llojit “Anisakida spp”, dhe si të tilla, nuk mund të lihen në qarkullim.

“Në këtë procedurë, kërkesa për sigurimin e provës përmes ekspertizës së re është e pabazuar, pasi qëllimi i vetëm i kësaj procedure është konstatimi i një gjendje faktike që rrezikon të zhduket. Në këtë rast, gjendja faktike veçse është konstatuar nga autoriteti kompetent.” – thekson Gjykata.

Për më tepër, Gjykata kritikon qasjen e kompanisë që tenton të përdorë procedurën për sigurimin e provës si mjet për të kontestuar rezultatet laboratorike ekzistuese, që është jashtë qëllimit të kësaj procedure.

“Peshku me krimba është i sigurt” – AUV më 16 maj siguron se larvat asgjësohen… nëse i gatuan si duhet

Më 16 maj 2025, në kulmin e shqetësimeve publike për peshkun e ngrirë me krimba dhe parazitë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) publikoi një sqarim zyrtar, duke mohuar çdo rrezik për konsumatorët dhe duke deklaruar se peshku në tregun e Kosovës është i sigurt për konsum – nëse përgatitet siç duhet.

Në vend që të alarmonte publikun ose të theksonte nevojën për masa të menjëhershme për asgjësim, AUV u përqendrua në teknikat e trajtimit të larvave të parazitëve, sipas standardeve të BE-së dhe vlerësimeve të EFSA-s:

  • Ngrirja në -20°C për 24 orë ose -35°C për 15 orë për Anisakis spp.

  • Trajtimi termik në 60°C për të paktën 1 minutë (apo deri në 10 minuta për filetot më të trasha)

  • Ngrirja e larvave më rezistente (si trematodet) në temperatura ekstreme për ditë të tëra

  • Mbështetja në certifikatat shëndetësore të importuesve nga vende si SHBA, Kanada, Spanjë dhe Maqedonia e Veriut

Sipas këtij sqarimi, lloji i peshkut Merluc (Hake) – lloji për të cilin po alarmohej publiku – konsiderohej si i destinuar për gatim dhe jo për konsum të papërpunuar si “sushi” apo “krudo”. Prandaj, sipas AUV, nëse gatuhej siç duhet, parazitët nuk përbënin rrezik.

Por ky postim – që në dukje mbrohej me referenca teknike dhe ligjore – erdhi në një kohë kur një aktgjykim gjyqësor kishte urdhëruar asgjësimin e sasisë prej 35,170 kg peshk me parazitë, e që duhej të ishte realizuar që nga korriku 2025. Në vend që të merreshin masa për asgjësim urgjent, AUV zgjodhi të relativizojë rrezikun dhe të qetësojë opinionin publik./Lajmi.net/

AUV përgjigjet për skandalin e peshkut me krimba: Sasia e infektuar prej 35,170 kilogramë është e bllokuar dhe po përgatitet për asgjësim