Trump kërkon hetim për “sabotim” në OKB: Ashensori, teleprompteri dhe zëri nuk funksionuan
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërkuar një hetim zyrtar për atë që e cilëson si “sabotim të trefishtë” gjatë vizitës së tij në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York. Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se ka dërguar një letër te Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres,…

Bota
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërkuar një hetim zyrtar për atë që e cilëson si “sabotim të trefishtë” gjatë vizitës së tij në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se ka dërguar një letër te Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, duke kërkuar hetim për tri ngjarje që ai i cilësoi “shumë të dyshimta”: Bllokimin e papritur të eskalatorit lëvizës, problemet me teleprompterin, si dhe defektet në sistemin e zërit gjatë fjalimit të tij.
Incidenti ndodhi pak para fjalimit të Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kur ai dhe Zonja e Parë, Melania Trump, u detyruan të ecin në këmbë pasi eskalatori ndaloi menjëherë pasi ata hipën mbi të.
Fillimisht Trump bëri shaka për ngjarjen gjatë fjalimit të tij, por një ditë më pas ai u shpreh më ashpër, duke thënë se ishte “fat që nuk u rrëzuam përmbys”. Ai e quajti situatën “sabotim i qartë” dhe theksoi se Shërbimi Sekret amerikan është përfshirë në hetim, raporton Al Jazeera.
Trump pretendoi gjithashtu se publiku nuk dëgjoi dot fjalimin për shkak të problemeve me zërin dhe se pjesëtarët e delegacioneve ishin të detyruar të përdornin kufje përkthimi për ta dëgjuar atë.
Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, mbështeti kërkesën për hetim, duke e quajtur këtë incident “të papranueshëm dhe të rrezikshëm për sigurinë”.
Zëdhënësit e OKB-së kanë mohuar çdo qëllim të keq. Sipas tyre, ashensori mund të jetë ndalur aksidentalisht nga një anëtar i delegacionit të Trump, ndërsa teleprompteri ishte pajisje e ekipit të presidentit amerikan dhe nuk ishte përgjegjësi e OKB-së.