“E-Kosova” në krizë sigurie dhe kontrolli – qytetarët dëmtohen financiarisht, shteti i papërgatitur për emergjenca
Platforma shtetërore e-Kosova, e krijuar për të ofruar shërbime publike në mënyrë digjitale, vazhdon të përballet me probleme serioze në fushën e sigurisë së informacionit, kontrollit të të dhënave dhe integritetit të shërbimeve, duke sjellë pasoja për qytetarët dhe rrezikuar funksionalitetin shtetëror në raste emergjente. Ky është konstatimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në…

Lajme
Platforma shtetërore e-Kosova, e krijuar për të ofruar shërbime publike në mënyrë digjitale, vazhdon të përballet me probleme serioze në fushën e sigurisë së informacionit, kontrollit të të dhënave dhe integritetit të shërbimeve, duke sjellë pasoja për qytetarët dhe rrezikuar funksionalitetin shtetëror në raste emergjente.
Ky është konstatimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në raportin më të ri të Teknologjisë së Informacionit për periudhën 2024 – qershor 2025, që përfshinë vlerësimin e katër shërbimeve specifike brenda platformës: “Shtesat për fëmijë”, “Tatimi në pronë”, “Subvencionimi i librave” dhe modulin e pagesave elektronike, transmeton lajmi.net.
Sipas ZKA-së, mangësitë serioze në kontrollet e aplikacionit kanë ndikuar në integritetin, saktësinë dhe sigurinë e të dhënave, duke lejuar raste si:
-
Përfitime të padrejta nga subvencionet për libra pa përmbushur kriteret;
-
Aplikime të dyfishta për shtesat për fëmijë;
-
Pagesa të shumëfishta për të njëjtat shërbime për shkak të mungesës së përditësimit të gjendjes në kohë reale, që kanë shkaktuar dëme financiare për qytetarët.
Në raport theksohet gjithashtu se Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, e cila menaxhon platformën, nuk ka standarde të mjaftueshme për menaxhimin e kontratave, çka sjell paqartësi mbi përgjegjësitë për sigurinë e informacionit dhe mungesë të politikave të përditësuara.
Situata është edhe më alarmante kur merret parasysh se nuk ka plane të qarta për rikthimin e shërbimeve në rast emergjencash apo fatkeqësish, duke vënë në rrezik vazhdimësinë e operacioneve elektronike shtetërore.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se megjithëse platforma ka sjellë përparim në digjitalizimin e administratës, sfidat në siguri, integrim të sistemeve dhe kontroll të të dhënave mbesin të mëdha.
Në fund të raportit, ZKA ka dhënë 15 rekomandime për përmirësimin e platformës, të cilat synojnë rritjen e efikasitetit, besueshmërisë dhe mbrojtjen më të mirë të të dhënave të qytetarëve./lajmi.net/