Duncan e konfirmon se në verën e vitit 1999 nuk kishte Prokurori në Kosovë, thotë që grupet kriminale hynin nga Shqipëria

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari John Duncan ka deklaruar se gjatë verës së vitit 1999 nuk ka pasur strukturë funksionale të Prokurorisë në Kosovë, duke theksuar gjithashtu praninë e elementeve të krimit të organizuar që kishin hyrë nga Shqipëria gjatë periudhës së pasluftës. Duncan i është referuar raportimeve të kohës nga…

Lajme

23/09/2025 17:38

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari John Duncan ka deklaruar se gjatë verës së vitit 1999 nuk ka pasur strukturë funksionale të Prokurorisë në Kosovë, duke theksuar gjithashtu praninë e elementeve të krimit të organizuar që kishin hyrë nga Shqipëria gjatë periudhës së pasluftës.

Duncan i është referuar raportimeve të kohës nga misioni ndërkombëtar paqeruajtës KFOR, sipas të cilave, grupe kriminale kishin depërtuar në Kosovë në periudhën e vakumit institucional, menjëherë pas tërheqjes së forcave serbe dhe rikthimit të refugjatëve shqiptarë, transmeton lajmi.net.

“Me sa kujtoj unë, ata hynë së bashku me refugjatët që po ktheheshin në Kosovë. Në mesin e tyre kishte edhe elemente të krimit të organizuar. Kjo ndodhi në kohën kur po tërhiqeshin forcat serbe dhe kishte një boshllëk të madh institucional. Kështu e kam kuptuar unë situatën”, u shpreh Duncan gjatë seancës gjyqësore.

Gjykatësi Christoph Barthe ka bërë të ditur se gjatë seancave përgatitore, Duncan ishte njohur me një deklaratë të një ish-punonjësi të Policisë Metropolitane të Mbretërisë së Bashkuar, Anthony Quin, dhënë më herët në një procedurë gjyqësore në Angli. Pas kësaj, Duncan kishte konfirmuar se në atë kohë, Kosova nuk kishte ende një prokurori funksionale./lajmi.net/