Prokuroria kërkon caktimin e paraburgimit për katër anëtarët e familjes Gerbeshi në Vushtrri – Dyshohen për “detyrim” dhe “lëndim i lehtë trupor”
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega Vushtrri, caktimin e paraburgimit për të pandehurit Rrahman Gerbeshi, Avdullah Gerbeshi, Emin Gerbeshi për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “detyrimi”. Përveç tyre, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit edhe ndaj Kadri Gerbeshit për veprat penale “lëndimi i…

Lajme
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega Vushtrri, caktimin e paraburgimit për të pandehurit Rrahman Gerbeshi, Avdullah Gerbeshi, Emin Gerbeshi për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “detyrimi”.
Përveç tyre, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit edhe ndaj Kadri Gerbeshit për veprat penale “lëndimi i lehtë trupor” dhe “arratisja e personave të privuar nga liria”, shkruan lajmi.net.
Prokuroria përmes një komunikate për media ka njoftuar se katër të pandehurit janë arrestuar dje, më 21 shtator në një operacion të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me ç`rast janë kontrolluar lokacione në fshatin Ropicë të Vushtrrisë dhe në qytetin e Vushtrrisë.
“Gjatë operacionit, të dyshuarve u janë gjetur dhe sekuestruar dy (2) armë të shkurta, 352 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy (2) karikatorë, dy (2) palë dylbi, shtatë (7) telefona celularë, një (1) shkop druri, një (1) palë dorëza, një (1) thikë, dokumente të ndryshme, një (1) pasaportë, një (1) patentë shofer, një (1) USB, një (1) llap-top, një (1) palë patika dhe një (1) çelës motori. Të pandehurit, me vendim të prokurorit, gjenden në ndalim 48 orësh, ndërkaq seanca për caktimin e masës së paraburgimit do të mbahet në Gjykatën Themelore Mitrovicë – Dega Vushtrri”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Në lidhje me rastin, Policia e Kosovës ka dhënë informacione edhe dje të cilët kanë njoftuar se janë arrestuar të njëjtit dhe se po realizojnë bastisje në dy lokacione. /Lajmi.net/