Arrestohet një i dyshuar për disa raste vjedhjesh dhe posedim të narkotikëve në Prizren

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për disa raste të vjedhjes në qytetin e Prizrenit, si dhe për posedim të paautorizuar të substancave narkotike. I njëjti rezulton të ketë qenë edhe nën urdhër arresti aktiv nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Sipas njoftimit nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, arrestimi është kryer…

Lajme

19/09/2025 16:30

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për disa raste të vjedhjes në qytetin e Prizrenit, si dhe për posedim të paautorizuar të substancave narkotike. I njëjti rezulton të ketë qenë edhe nën urdhër arresti aktiv nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Sipas njoftimit nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, arrestimi është kryer nga Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor të Prizrenit, pas një pune intensive hetimore dhe sigurimit të provave materiale, raporton lajmi.net

Ngjarja e fundit ka ndodhur më 18 shtator 2025, rreth orës 01:00, në rrugën “Tahir Sinani” në Prizren, ku i dyshuari kishte tentuar të kryente një vjedhje të rëndë në një market.

Policia ka zbuluar se i njëjti person dyshohet se kishte kryer edhe një vjedhje të mëhershme në të njëjtin lokacion.

Hetimet e mëtejme kanë lidhur të dyshuarin edhe me dy raste të tjera të vjedhjeve në rrugën “Ekrem Rexha”, më datat 11 dhe 16 shtator 2025, si dhe me posedim të substancave narkotike.

Pas arrestimit, i dyshuari E. P. (mashkull) është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe ka pranuar përfshirjen në rastet e lartpërmendura.

Po ashtu, gjatë verifikimeve është konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti aktiv nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Policia ka njoftuar Stacionin Policor në Ferizaj për procedurat e mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës njofton se hetimet për rastin janë në vazhdim dhe ndaj të dyshuarit do të ndërmerren të gjitha veprimet konform legjislacionit në fuqi./Lajmi.net/