Zbulohen mbi 1.5 kg stoli të pa deklaruara në Aeroportin e Prishtinës
Një pasagjer është kapur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me mbi 1.5 kilogram stoli argjendi të padeklaruara, gjatë një kontrolli rutinë nga oficerët doganorë. Sipas njoftimit zyrtar të Doganës së Kosovës, pasagjeri kishte kaluar fillimisht nëpër kanalin e gjelbër – i cili është i destinuar për udhëtarët që nuk kanë mallra për të deklaruar –…

Lajme
Një pasagjer është kapur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me mbi 1.5 kilogram stoli argjendi të padeklaruara, gjatë një kontrolli rutinë nga oficerët doganorë.
Sipas njoftimit zyrtar të Doganës së Kosovës, pasagjeri kishte kaluar fillimisht nëpër kanalin e gjelbër – i cili është i destinuar për udhëtarët që nuk kanë mallra për të deklaruar – por u përzgjodh për një kontroll të mëtejshëm, transmeton lajmi.net.
Gjatë skanimit të bagazhit, u zbuluan 1.518,89 gram stoli argjendi, me vlerë të faturuar prej 2.457,58 euro. Fatura për mallin u paraqit nga pasagjeri vetëm pas zbulimit të rastit, ndërsa vlera e shmangur e detyrimeve doganore kapte shumën prej 732,40 euro.
Malli u ndalua menjëherë dhe u vendos nën mbikëqyrje doganore, ndërsa ndaj pasagjerit është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore. Dogana njofton se procedurat ligjore do të vazhdojnë sipas dispozitave të Kodit Doganor dhe Akcizës së Kosovës.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe parandalimin e kontrabandës apo shmangies së detyrimeve doganore. Apelojmë që të gjithë udhëtarët të respektojnë obligimet ligjore për deklarimin e mallrave gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim./lajmi.net/