​Mërgata shqiptare ‘pushton’ Hagën: Ta quash UÇK-në kriminale është ofendim për NATO-n

Mërgata shqiptare ka mbajtur protestë masive në Hagë, qytetin holandez ku e ka selinë Gjykata Speciale. Shqiptarë nga e gjithë bota kanë kërkuar drejtësi dhe lirim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dërguar mesazhe edhe përmes parullave në gjuhën angleze. Me flamuj kuq e zi e duke brohoritur njëzëri “UÇK”, ata kanë “pushtuar”…

Lajme

14/09/2025 16:06

Mërgata shqiptare ka mbajtur protestë masive në Hagë, qytetin holandez ku e ka selinë Gjykata Speciale. Shqiptarë nga e gjithë bota kanë kërkuar drejtësi dhe lirim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dërguar mesazhe edhe përmes parullave në gjuhën angleze. Me flamuj kuq e zi e duke brohoritur njëzëri “UÇK”, ata kanë “pushtuar” Hagën, ku mes tjerash u tha se “Ta quash UÇK-në organizatë kriminale është ofendim i madh për NATO-n”.

Protesta e sotme është organizuar nga mërgata shqiptare në mbështetje e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, që ishte njëri nga folësit në protestën për drejtësi qe po mbahet në Hagë kujtoi kohën kur kishte biseduar me Hashim Thaçin për krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Kemi pasur kërkesa nga shtetet tona që të bëjmë presion dhe te kërkojmë krijimin e Gjykatës Speciale, edhe pse nuk më pëlqeu megjithatë si ide sepse dukej e pakuptimtë që serbët të mos ishin të akuzuar në këtë gjykatë, megjithatë e bëra punën time me kërkesën nga shteti im, më kujtohet shumë mirë kur shkova dhe e takova Thaçin, i thash s’ke pse të shqetësohesh sepse nëse është një gjyq i drejtë ti do të jesh i lirë për shkak të mungesës së provave. Fatkeqësisht isha gabim sepse gjyqi nuk doli të ishte aq serioz sa unë kisha pritur të ishte”, tha ai.

Më tej, para mijëra shqiptarëve ai shtoi se “është totalisht marrëzi të quhet UÇK ndërmarrje kriminale”.

“Gjyqtarët të cilët gjykojnë në Gjykatën Speciale sigurisht janë të lumtur të kenë një jetë shumë të mirë në Hagë, të jetojnë këtu, të marrin paga shumë të mira, të jetojnë shumë mirë dhe të vazhdojë ky proces shumë, shumë gjatë. Dhe tashmë ata kanë ardhur në këtë përfundim se UÇK ishte organizatë kriminale, dhe kjo është totalisht një marrëzi dhe unë ju tregojë pse. Në vitin 1999 isha pika e kontaktit mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe kisha për detyrë që të raportoja, të bëja përmbledhje se çfarë po flitej nga ministrat. Dhe unë po dua të them atë që kemi thënë çdo mëngjes se UÇK ishte këmba e NATO-s në Kosovë, ishin së bashku. Dhe ta quash UÇK-në kriminale përderisa je duke punuar për NATO-n kjo është një ofendim i madh për vet NATO-n. Sepse NATO nuk bashkëpunon me organizata kriminale”, shtoi Bosch.

Thirrje ndërkombëtareve që të mos i mbyllin sytë para padrejtësive, bëri kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati.

“Sot këtu në zemër të Evropës, para Gjykatës Speciale nuk flasim vetëm flasim vetëm për katër mure, për një proces gjyqësor apo disa aktakuza, ne flasim për dinjitetin e një populli. Ne flasim për një drejtësi që na është mohuar, ne flasim për historinë e shenjtë të UÇK-së që po përpiqen ta shtrembërojnë. Te gjithë e dimë pse erdhi UÇK-ja, ajo nuk lindi nga urrejtja por nga padrejtësia. Ajo nuk luftoi për pushtet por për liri dhe liria nuk ishte dhuratë, ajo ishte gjaku më i mirë i të gjithëve, ishte sakrifica e djemve, vajzave që ranë për këtë flamur dhe për këtë tokë. Sot kur shohim ish udhëheqësit e UÇK në burgje të padrejta, kur shohim që emri i ushtrisë përdoret si faj, ndjejmë zemërimin dhe krenarinë. Dhimbja dhe padrejtësia, zemërimi dhe heshtja e ndërkombëtarëve, krenaria, sepse jemi pasardhësit e kësaj ushtrie që nuk u përkul as përpara tankeve apo helikopterëve serbë”, u shpreh Gucati.

Në fjalimin e tij para rreth 10 mijë shqiptarëve nga e gjithë bota, ai mes tjerash tha se “Evropa nuk duhet të lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik.”

“Prandaj sot nga ky shesh duam te themi me zë te lartë: Evropa nuk duhet të lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik, bota demokratike nuk mund t’i mbyll sot para një padrejtësie kaq të madhe. Historia nuk duhet të shkruhet me aktakuza por me të vërtetat e luftës tonë çlirimtare. U bëjmë thirrje përgjegjësve ndërkombëtarë mos e ndëshkoni Kosovën për lirinë e saj, mos i gjykoni çlirimtaret si kriminelë, ndërsa kriminelët e vërtetë të Serbisë sot gëzojnë lirinë e tyre”, theksoi ai.

Ish-ushtari i UÇK-së, i cili është përfaqësues për Evropë, Fatmir Koci tha se serbët të cilët kanë vrarë e dëbuar nuk janë hetuar e dënuar për krimet që kanë kryer.

“A ishim ne agresori, a e sulmuan ne dikë në tokën e vet, a po luftuam në tokat tona, a kërkuam territore, apo kërkuam liri, a ishim ne pushtuesi apo popull që shpëtonte nga dhuna dhe gjenocidi. Ne nuk kemi qenë as agresori as pushtuesi, ne ishim njerëz të pafajshëm që luftuam për jetërat tona, për lirinë tonë, dhe për vendin tonë. dhe sot pas gjithë sakrificës që bëri UÇK për të na sjell lirinë ne po përballemi me një padrejtësi të pafalshme që vazhdon të shkatërrojë jetët e atyre që sakrifikuan gjithçka për ne. Shteti serb i cili ka bërë krime të tmerrshme gjatë periudhës së luftës ka shkatërruar jetët e shumë qytetarëve të pafalshëm, nuk ka dhënë asnjë llogari. Ata që kanë vrarë, dëbuar e dhunuar dhe shkatërruar gjithçka të shqiptarëve në këtë vend sot janë të lirë, të paprekur dhe janë të mbrojtur nga regjimi serb. Ata nuk janë hetuar, nuk janë djegur, dhe nuk janë dënuar për krimet që kanë kryer”, u shpreh ai.

Koci tha se sot janë mbledhur për të ngritur zërin për të thënë “mjaft me padrejtësi”. Ai ka shprehur pakënaqësitë edhe me institucionet vendore, për çka tha se “qeveria ka heshtur, ka lënë pas dore të drejtat e atyre që luftuan për këtë shtet”.

“Për të gjithë ata që po akuzohen padrejtësisht thërrasim me zë të lartë, ne nuk do të pranojmë këtë padrejtësi ndaj tyre. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, Fadil Fazliu, Haxhi Shala dhe shumë të tjerë janë heronjtë e kombit, që përveç se udhëheqës të UÇK-së, ata ishin edhe themelues, bartës të proceseve të shtetit të Kosovës, ata kontribuuan drejtpërdrejt në krijimin e institucioneve të Kosovës, në mbijetesën e popullit të Kosovës dhe vendosjen e themeleve të Kosovës, ata mbeten arkitekt të lirisë, ndërkaq sot po dënohen për sakrificat që kanë për ne”, shtoi ai.

Një protestë tjetër në Hagë ishte mbajtur në prill të vitit 2023, në kohën kur kishte nisur gjykimi ndaj ish-eprorëve të UÇK-së. Së fundmi në Prishtinë, ishte mbajtur edhe një protestë, kundër padrejtësisë që OVL-UÇK vlerësojnë se po i bën Gjykata Speciale në Hagë.

Kjo protestë po mbahet një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes në gjykatoren e Speciales, ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Marrëdhënie me Publikun, James Rubin.