Mbi 500 veteranë e qytetarë nga Kosova nisen drejt Holandës, do t’i bashkohen protestës në Hagë
Mbi 500 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të tjerë nga Kosova janë nisur në Holandë. Të dielën pritet të mbahet një protestë masive në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, në mbështetje të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këngë patriotike e thirrjeve për drejtësi, kështu janë nisur nga Kosova, qytetarë…

Lajme
Mbi 500 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të tjerë nga Kosova janë nisur në Holandë.
Të dielën pritet të mbahet një protestë masive në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, në mbështetje të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këngë patriotike e thirrjeve për drejtësi, kështu janë nisur nga Kosova, qytetarë të shumtë për në qytetin holandez.
Shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të ndryshme të Evropës, të dielën do të protestojnë me thirrjen “Liri për çlirimtarët”. Mërgata shqiptare është bërë bashkë në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së, në një organizim më 14 shtator – një ditë para se të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes.
Ramadan Gashi, sekretar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), thotë se po planifikojnë të mbërrijnë të dielën në Hagë, pak para fillimit të protestës, e cila do të fillojë në orën 14:00.
“Numri i pjesëmarrësve në këtë protestë është shumë i madh, por këtu nga ky vend ku po nisemi është përmbi 500 veteranë që do të nisen në mënyrë të organizuar drejt Hagës, ku shokët tanë po mbahen padrejtësisht në burgjet e Hagës, ku po gjykohen padrejtësisht. Ne po presim që nisemi në mënyrë të organizuar drejt Hagës. Diku rreth shtatë autobusë nga Jora Center këtu në Llapushnik drejt Hagës do të nisemi bashkë me bashkëluftëtarët tjerë të cilët janë të gatshëm të vijnë me mijëra persona nga Kosova, me aeroplanë, me automjete të veta vetanake”, thotë ai.
“Liri për çlirimtarët” do të jetë thirrja kryesore në protestën në Hagë, shton Gashi.
“Ne po shpresojmë që do të merren parasysh kërkesat tona të cilat i kemi dërguar dje në Strasburg në Parlamentin Evropian të cilët na kanë pritur shumë mirë, kryetarin Hyseni Gucati dhe nënkryetarin Gazmend Syla, të cilët kanë dorëzuar një dokumentacion të vlefshëm të cilët e mirëpritën atë dokumentacion që të merren parasysh kërkesat tona. Ne do të shkojmë dhe të bëjmë një protestë të qetë. Shpresojmë që së shpejti edhe presidenti, kryeparlamentari, të gjithë do të kthehen faqebardhë dhe do të lirohen…Thirrja kryesore do të jetë liri për çlirimtarët, nuk e kanë vendin në burg, ata do të jenë të lirë e kanë vendin në Kosovë, të kthehen pranë familjeve të tyre dhe të jenë të lirë sikur të gjithë qytetarët e Kosovës ”, shprehet ai.
Hysen Bytyqi, është 80-vjeçar por mosha nuk e ka penguar që të marrë rrugë të gjatë drejt Hagës.
“Ju kam bashkuar [protestës] edhe do i bashkohem në maksimum, s’do i ndahem hiç… Po shkojmë në Hagë të protestojmë kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale të Hagës…Nuk pritoj kurrë, deri në vdekje që të udhëtojë për në Hagë”, thekson ai.
Udhëtimit në drejtim të Hagës i është bashkuar edhe Zenel Shala nga brigada 113 “Mujë Krasniqi”,
“Sot kemi filluar për në Hagë, në mbrojtje të çlirimtarëve tanë, në mbrojtje të luftës në të cilën ne besojmë dhe shpresojmë që shumë shpejt ata do të jenë të lirë edhe krahë nesh… Ne presim të solidarizohemi dhe t’i tregojmë mbarë opinionit ndërkombëtar edhe vendor që UÇK ka bërë luftë të drejtë të domosdoshme për lirinë kolektive të popullit shqiptar. Ata padrejtësisht mbahen atje në Hagë”, shprehet ai.
Hoxha i fshatit Burojë të Skenderajt, Fadil Idrizi ka folur para nisjes drejt Hagës, ku pritet të mbahet protestë masive.
Ai si 14-vjeçar ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Qasja jonë edhe shkuarja jonë atje në Hagë është që të marrim pjesë që të solidarizohemi me ata djem me ata vëllezër që padrejtësisht po mbahen nëpër burgje te Speciales. Ata janë viktima të cilat sot po e paguajnë çmimin e lirisë. Serbët janë ata të cilët kanë bërë krime kanë bërë maskara ndërsa ne si qytetarë të Kosovës, një herë edhe si imam ju kam bashkangjitur kësaj fushate që të japim mesazhin tonë tek ndërkombëtarët e të ju themi që këta janë shpirti i këtij populli dhe mishi i këtij populli”, tha ai.
Sheremet Pantina nga fshati Gllareva e Klinës, nesër do të udhëtojë për në Hagë, por me dhjetëra familjarë do të nisen nga Gjermanisë.
“Sot kam ardhur që t’i përshëndes shokët të cilët shkojnë në mbështetje për drejtësi që është duke ju bërë një e padrejtë në Hagë kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, ne shkojmë për të mbrojtur drejtësinë, jo me prish drejtësinë… Një autobus prej 42 anëtarë të familjes janë me nipa, e mbesa e me djemtë të axhës, prej Heidelberg shkojnë nesër nisën ata unë shkoj me aeroplan”, tha ai.
Specialja, e cila i heton krimet e pretenduara të luftës, ka seli në Holandë dhe funksionon me staf ndërkombëtar, edhe pse e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015.
Atje, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në një proces të tejzgjatur gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ata akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta.
Një tjetër protestë në Hagë ishte mbajtur edhe në prill të vitit 2023 – në kohën kur kishte nisur gjykimi ndaj ish-eprorëve të UÇK-së.
Ndërkaq, së fundmi në Prishtinë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbledhur më 7 gusht ish-luftëtarë e qytetarë të tjerë në një protestë kundër padrejtësisë që vlerësojnë se po i bën Gjykata Speciale në Hagë.