Pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA, reagon Abdixhiku: Është koha të bashkohemi, t’i japim fund kësaj çmendurie politike

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar në lidhje me vendimin e fundit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të pezulluar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën. Sipas SHBA-së, pezullimi erdhi si shkak i deklarimeve dhe veprimeve të kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe qeverisë së tij. Abdixhiku pas kësaj tha se suspendimi i…

Lajme

12/09/2025 14:35

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar në lidhje me vendimin e fundit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të pezulluar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën.

Sipas SHBA-së, pezullimi erdhi si shkak i deklarimeve dhe veprimeve të kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe qeverisë së tij.

Abdixhiku pas kësaj tha se suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulëta të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik.

Ai tha se shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik e shkelësit e Kushtetutës kanë zgjedhur që të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës.

Reagimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran.

Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës.

Populli i Kosovës nuk është si ta.

Populli i Kosovës nuk do të jetë si ta.

Është koha të bashkohemi të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë – para se të bëhet vonë për të gjithë.

LDK do të kujdestarojë me plot përkushtim e përgjegjësi rrugën euroatlantike të Kosovës; do të garantojë miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe do të rikthejë vendin tonë në binarët e arsyes, ligjit dhe demokracisë.

Le t’i japim dritë Republikës sonë të përhershme!./Lajmi.net/