Dronët e rrëzuar rusë në Poloni, Vrajolli: Fuqitë e mëdha po sjellin rrezik për Luftën e tretë botërore
Shkelja drastike e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë po konsiderohet provokim i rrezikshëm i cili nëse nuk trajtohet seriozisht mund ta inkurajojë Rusinë për tentime tjera në shtetet potencialisht të kërcënuara. Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli thotë se konfrontimet e tilla paraqesin rrezik për luftën e tretë…

Lajme
Shkelja drastike e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë po konsiderohet provokim i rrezikshëm i cili nëse nuk trajtohet seriozisht mund ta inkurajojë Rusinë për tentime tjera në shtetet potencialisht të kërcënuara.
Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli thotë se konfrontimet e tilla paraqesin rrezik për luftën e tretë botërore.
Sipas tij akterët e NATO-s duhet të dëshmojnë se janë të bashkuar dhe të vendosur sa i përket ruajtjes së integritetit territorial të vendeve anëtare të organizatës më të fuqishme ushtarake në botë.
Të mërkurën kryeministri polak, Donald Tusk tha se ushtria polake regjistroi 19 ndërhyrje me dronë në hapësirën ajrore të vendit gjatë natës. Duke folur para parlamentit polak, Tusk tha se tre apo katër dronë u rrëzuan nga avionë polakë dhe të NATO-s që u ngritën në ajër për t’u përballur me kërcënimin.
“Futja e një mjeti në mënyrë të kundërligjshme në territorin polak është jashtëzakonisht një provokim i cili mbase nuk trajtohet seriozisht mund të inkurajoj tentime të tilla dhe mendoj që NATO duhet t’i përgjigjet kërkesës së Tusk për të rritur gatishmërinë sa i përket kërcënimit rus dhe jo vetëm në Poloni, por edhe në vendet tjera të cilat mund të jenë të kërcënuara”, theksoi ai.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Mentor Vrajolli theksoi se ky provokim i Rusisë tregon qasjen e këtij shtetit për të treguar se vazhdon të jetë akterë i fuqishëm i sigurisë në atë pjesë të Evropës. Sipas tij çdo tension si ky me Poloninë është i rrezikshëm dhe duhet të merr përgjigjen e duhur nga NATO-ja.
“Kjo mund të jetë e ndërlidhur me njëfarë qasje ku Rusia synon që ta tregoj se edhe më tutje është një akterë i fuqishëm i sigurisë në atë pjesë të Evropës dhe po ashtu mund të jetë një sinjal i atij takimi që ndodhi në Pekin ku mbase mund të ketë një mbështetje nga Kina sa i përket asaj që Rusia mund të përballoj një intensifikim të krizës qoftë në Ukrainë…Mendoj se çdo tensionim në këtë nivel mendoj se është jashtëzakonisht i rrezikshëm ajo që është me rëndësi është që akterët e NATO-s, në këtë rast të dëshmojnë se janë të bashkuar dhe të vendosur sa i përket ruajtjes së integritetit territorial të shteteve anëtare të NATO-s dhe i bëjnë me dije që çdo veprim i ngjashëm do të ketë pasoja”, tha ai.
Ai thekson se nuk mund të anashkalohet fakti që një konfrontim i tillë mund të shpie drejt shpërthimit të një lufte me përmasa globale.
“Çdo herë që ka konfrontime mes akterëve dhe fuqive të mëdha botërore ka rrezik të madh, mbase Rusia është dëshmuar që nuk është akterë global për faktin që është parë edhe sa i përket luftës në Ukrainë, por edhe sa i përket luftërave të ndryshme të brendshme që janë ekspozuar gjatë kësaj periudhe që nga fillimi i luftës në Ukrainë… Nuk mund të anashkalohet kjo edhe për faktin që prapa Rusisë duket qartazi se është edhe Kina dhe mendoj se Kina është duke testuar fuqinë perëndimore sa i përket gatishmërisë për t’u ballafaquar me konflikte të mëdha, mbase interesi i Kinës nuk është domosdo në Evropë më tepër interesi i Kinës është në Lindje të Largët sidomos në raport me Tajvanin, por përmes Rusisë është duke testuar potencionalisht që perëndimi ka për të mbajtur një konflikt aktiv të ngjashëm si atë në Ukrainë”, theksoi ai.
Për një luftë të mundshme në mes të Rusisë dhe Polonisë, drejtori i QKSS-së, Mentor Vrajolli u shpreh se Rusia nuk ka potencial për të hyrë në luftë me shtetin polak pasi përgjigja e NATO-s do të jetë e vrazhdë.
“Mendoj se Rusia nuk ka potencial për të marrë një pëllëmbë tokë në vendet tjera të NATO-s, këtë e ka dëshmuar edhe stagnimi që është duke ndodhur në Ukrainë e mbase përfitimi i territoreve në Ukrainë ka ndodhur për faktin se perëndimi e ka mbivlerësuar fuqinë ruse e në këtë rast bëhet fjalë për shtete anëtare të NATO-së përgjigjja do të jetë jashtëzakonisht e vrazhdë,” deklaroi ai.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka thënë se shkelja e hapësirës ajrore të shtetit të tij nga dronët rusë, është provokim i pakrahasueshëm dhe i rrezikshëm. Gjatë ditës së sotme Polonia ka kërkuar të thirrej në Nenin 4 të traktatit të NATO-s, i cili u lejon vendeve anëtare të ngrenë një çështje në Këshillin Veri-Atlantik.
Po sot gjatë ditës është takuar edhe Këshilli i Atlantikut të Veriut ku temë diskutimi ka qenë dronët që shkelën hapësirën ajrore të Polonisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë është e rrezikshme.
Për shkeljen e hapësirës ajore të Polonisë nga dronët rus ka reaguar edhe shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas. Ajo ka thënë hyrja se hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore të NATO-s ishte e qëllimshme, jo aksidentale./kp