Nesër zhvillohen inspektime në Kozhle për dyshime mbi një varr masiv – Komisioni për Persona të Zhdukur kërkon qasje në arkivat serbe
Më 10 shtator 2025, në orën 10:00, do të zhvillohen inspektime në terren në fshatin Kozhle, afër Novi Pazarit, për të vlerësuar një lokacion ku dyshohet për ekzistencën e një varri masiv të viktimave nga lufta në Kosovë. Ky hap vjen si rezultat i kërkesave të përsëritura të Delegacionit të Kosovës në kuadër të dialogut…

Lajme
Më 10 shtator 2025, në orën 10:00, do të zhvillohen inspektime në terren në fshatin Kozhle, afër Novi Pazarit, për të vlerësuar një lokacion ku dyshohet për ekzistencën e një varri masiv të viktimave nga lufta në Kosovë.
Ky hap vjen si rezultat i kërkesave të përsëritura të Delegacionit të Kosovës në kuadër të dialogut për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, transmeton lajmi.net.
Nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur është theksuar se ky lokacion është adresuar disa herë në takimet zyrtare me palën serbe, dhe gërmimet kishin qenë planifikuar edhe vitin e kaluar, por ishin ndërprerë pas përgatitjeve fillestare. “Ky është një prej rasteve që vazhdimisht e kemi kërkuar dhe që e kemi konsideruar me prioritet,” thuhet në njoftim.
Komisioni ka përsëritur thirrjen që gërmimet në terren të shoqërohen me të dhëna nga arkivat e institucioneve të Serbisë, të cilat do të ndihmonin në lokalizimin e saktë të varrit dhe mbledhjen e provave për zbardhjen e rastit. “Çdo hap drejt zbardhjes së së vërtetës është hap drejt drejtësisë, drejt paqes së munguar dhe dinjitetit njerëzor,” thekson Komisioni.
Inspektimet do të përcillen nga përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit për Mjekësi Ligjore të Kosovës. Komisioni siguron se do të vazhdojë me përkushtim dhe këmbëngulje derisa të zbardhet fati i çdo personi të zhdukur.
Postimi i plotë: