VV bëhej gati që të dielën ta vendosë emrin e mandatarit, Kushtetuesja ndërpret veprimet e deputetëve dhe procesin për formimin e Qeverisë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së Kosovës. Masa do të jetë në fuqi nga 5 shtatori deri më 30 shtator. Kjo masë u vendos nga Gjykata në mënyrë ex officio dhe…

Lajme

05/09/2025 14:27

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Masa do të jetë në fuqi nga 5 shtatori deri më 30 shtator.

Kjo masë u vendos nga Gjykata në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Kushtetuesja tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

Ankesa e Listës Serbe – që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti joserb dhe serb.

Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Por, procesi ngeci kur erdhi puna te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte Sllavko Simiqin. Megjithatë, ai nuk arriti të siguronte 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit.

Pasi Lista Serbe nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.

Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit.

As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme.

Pasi të gjithë deputetët serbë u hodhën në votim nga tri herë dhe dështuan të zgjedheshin në postin e nënkryetarit, Basha në mënyrë të njëanshme mbylli seancën konstituive dhe deklaroi se Kuvendi është konstituuar.

Por çka parashihte Vetëvendosje këto ditë?

Njëjtë si Albulena Haxhiu ashtu edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti paralajmëruan që këtë të dielë t’i jepej zgjidhje “formimit të qeverisë”- anipse në fakt Kuvendi nuk është ende i konstituuar.

Albulena Haxhiu në një konferencë për media të mbajtur ditë më parë tha se do të mblidhen të dielën për të zhvilluar mbledhjen e Kryesisë së Këshillit të Partisë e që të jepet edhe emri për mandatarin.

“Nuk mund që Kuvendi të mbetet peng i Listës Serbe, apo ndonjë subjekti që refuzon të marrë përgjegjësi. Është vërtetë për të ardhur keq që nga 52 deputetë të opozitës, as edhe 4 -5 vota për të përkrahur Nenad Rashiqin. Nënkryetarët e Kuvendit nuk ishin të pranishëm ta ushtrojnë detyrën e tyre. Nuk do të lejojmë që pakicat të bllokojnë funksionimin e institucioneve. Presim hapat e radhës drejt themelimit të qeverisë. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, përfaqësim të denjë, koha e lojërave e pazareve ka përfunduar. Ne kemi thënë në seancën e fundit që ne do t’i shikojmë mundësitë që ta bëjmë këtë, na duhet mbledhje të Këshillit të përgjithshëm që e votojmë mandatarin, e pastaj Arbërie Nagavci ta dërgojë emrin e kryeministrit Kurti te presidentja Osmani. E mandej presim që presidentja të veprojë në emër të funksionimit demokratik. Unë jam e bindur që ata do të mbajmë shpejt, për shkak të rrethanave”, tha Haxhiu.

Ngjashëm deklaroi edhe Albin Kurti anipse shkurtimisht.

“Kemi mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të dielën”- tha Kurti për media në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike.

Ai tha se do të mblidhen të dielën në Vetëvendosje për këtë çështje.

Por siç duket vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese i rrëzoi të gjitha këto parashikime të Vetëvendosjes, e të kryeparlamentarit Dimal Basha që e konsideronte si çështje të mbyllur thuajse tanimë konstituimin e kuvendit./Lajmi.net/