I larguan nga moderimi, tash RTK-ja i kërcënon redaktorët: Nuk i tolerojmë postimet politike as dezinformatat

RTK-ja ka dalur me reagim pasi gjashtë redaktorë u larguan nga moderimi. Fjala është për redaktorë të cilët akuzuan menaxhmentin e RTK-së për censurë, dhe largim të emisioneve për shkak të ballafaqimit të zyrtarëve të pushtetit. RTK-ja këtë e ka quajtur avancim, dhe më shumë është marrë me reagimet publike të redaktorëve. Kanë kërcënuar se…

Lajme

27/08/2025 14:12

RTK-ja ka dalur me reagim pasi gjashtë redaktorë u larguan nga moderimi.

Fjala është për redaktorë të cilët akuzuan menaxhmentin e RTK-së për censurë, dhe largim të emisioneve për shkak të ballafaqimit të zyrtarëve të pushtetit.

RTK-ja këtë e ka quajtur avancim, dhe më shumë është marrë me reagimet publike të redaktorëve. Kanë kërcënuar se do të merren me postimet që sipas tyre, janë politike e dezinformata.

Postimi:

KOMUNIKATË E MENAXHMENTIT TË RTK-së

Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me reagimet e disa redaktorëve për mosangazhimin e tyre si moderatorë në disa emisione.

RTK po kalon një fazë avancimi programor dhe organizativ, me qëllim rritjen e cilësisë së përmbajtjes në të gjitha kanalet dhe platformat, me fokus të veçantë në forcimin e kanalit informativ RTK3. Në këtë kuadër janë ndërmarrë disa riorganizime të stafit, të cilat janë vendime të natyrës menaxheriale dhe nuk kanë karakter ndëshkues apo disiplinor.

Kontratat e punës së redaktorëve mbeten të paprekura. Detyrat e tyre lidhen me redaktim dhe mbikëqyrje editoriale, jo me moderim, ndaj lirimi i tyre nga ky rol është në përputhje me kontratat dhe rregulloret e brendshme.

Pretendimet për “censurë” apo “heshtje të zërit profesional” nuk qëndrojnë. Redaktorët vazhdojnë të kenë liri dhe të drejtë të plotë editoriale, të cilën e demonstrojnë përmes paraqitjeve publike në programet e RTK-së, si asnjëherë më parë.

Ndonëse RTK aktualisht po funksionon në rrethana jo të zakonshme, kjo gjendje nuk do ta pengojë institucionin në avancimin e ofertës programore dhe përmirësimin e proceseve të punës. Në asnjë rast kjo situatë nuk mund të shfrytëzohet nga punonjësit e RTK-së për të bërë prononcime në rrjete sociale me përmbajtje politike, ofenduese, apo të papajtueshme me etikën dhe standardet profesionale. Po ashtu, çdo deklarim i pabazuar në fakte, që përhap dezinformata duke dëmtuar integritetin e institucionit, nuk do të tolerohet tutje dhe të gjitha këto veprime do të trajtohen në përputhje me ligjin dhe rregulloret e RTK-së në fuqi.

Si transmetues publik, RTK është e përkushtuar ndaj transparencës, respektimit të ligjit dhe kontratave, pavarësisë editoriale dhe objektivitetit, me theks ofrimin e përmbajtjes cilësore për qytetarët e Kosovës. Në këtë kuadër, RTK thekson se respekton lirinë e shprehjes dhe të drejtën e gazetarëve për të punuar pa ndërhyrje, ndërsa çdo shqetësim i ngritur nga redaktorët, apo publiku do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.

Menaxhmenti i RTK-së mbetet i vendosur dhe i palëkundur në avancimin e ofertës programore, duke e zhvilluar atë mbi bazën e parimeve universale të transmetuesve publik: paanshmërisë, objektivitetit, neutralitetit dhe depolitizimit të plotë. Çdo vendim dhe hap i ndërmarrë do të ketë për qëllim forcimin e rolit të RTK-së si institucion i pavarur, i besueshëm dhe i depolitizuar, në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Ky angazhim është një obligim profesional dhe moral ndaj publikut, një standard i panegociueshëm për secilin punonjës të RTK-së, dhe një garanci për demokracinë dhe shoqërinë tonë.