​Ekspertët: Urë bashkimi, jo ndarje

Hapja për qarkullim e urës së re mbi lumin Ibër në Mitrovicë nga ekspertët po konsiderohet urë lidhëse e komunikimi në mes banorëve të pjesës jugore dhe veriore të këtij qytetit. Ata nuk presin ndonjë incident përkundër kundërshtimeve që serbët e veriut i kishin për ndërtimin e dy urave anash urës kryesore mbi Ibër. Njohësi…

Lajme

26/08/2025 17:04

Hapja për qarkullim e urës së re mbi lumin Ibër në Mitrovicë nga ekspertët po konsiderohet urë lidhëse e komunikimi në mes banorëve të pjesës jugore dhe veriore të këtij qytetit.

Ata nuk presin ndonjë incident përkundër kundërshtimeve që serbët e veriut i kishin për ndërtimin e dy urave anash urës kryesore mbi Ibër.

Njohësi politik, Emir Azemi thotë se hapja për qarkullim e kësaj ure do të lehtësoi qasjen në qendër të Mitrovicës për banorët që jetojnë në pjesën veriore.

Teksa beson që kjo urë nuk do të sjell telashe, Azemi hapjen e urës e sheh edhe si kompromis në mes të bashkësisë ndërkombëtare dhe autoriteteve vendore.

“Mendoj se mos hapja e urës kryesore e ka lindur idenë dhe nevojën për ndërtimin e kësaj ure dhe urës tjetër… mendoj se është një kompromis me vetë faktin që ura kryesore vazhdon të jetë e mbyllur dhe kjo urë mund të jetë kompromis deri në hapjen vendimtare të urës kryesore. Mendoj që kjo urë nuk do të sjell telashe dhe kjo urë do të sjell mundësi të reja dhe do të jetë një urë lidhëse dhe komunikimi mes dy pjesëve të qytetit”, theksoi ai.

Njohësi i rrethanave politike, Emir Azemi për KosovaPress, thotë se hapja për qarkullim e urës së re që lidh veriun dhe jugun e Mitrovicës nuk paraqet asnjë shqetësim për banorët e komunitetit serb.

Ai potencon që banorët e të dyja anëve nuk kanë vullnet e as potencial për të ndërmarrë hapa të njëanshëm.

“Absolut jo këto janë qëndrime politike të qartëve që kanë dëshiruar dhe dëshirojnë ta mbajnë të tensionuar dhe bllokuar qytetin e Mitrovicës. Qytetarët në veri dhe jugë nuk kanë as vullnet as potencial për të marrë hapa të njëanshme të cilët do të mund të ndikonin në sigurinë e përgjithshme”, tha ai.

Hapjen për qarkullim të urës së re mbi lumin Ibër e ka mirëpritur edhe njohësi i sigurisë, Arben Dashevci. Ai thotë se hapja e urave është vetëm në dobi të qytetarëve.

Dashevci thekson se kjo urë nuk mund të paraqet rrezik për sigurinë e qytetit.

“Hapja e urave si ajo tek lagjja e boshnjakëve apo tek tre rrokaçejt është në dobi të qytetarëve dhe komuniteteve pa dallim race dhe etnie. Urat bashkojnë njerëz, shërbimet dhe mallrat dhe në atë aspektin e sigurisë e shoh si qasje definitivisht pozitive sepse e sjell shtensionimin.… këtë e shoh vetëm si hap të mirë në aspektin e sigurisë dhe sjell vetëm dobi. Dhe duke pas parasysh që nuk ka asnjë incident etnik tash e sa kohë si mund të sillte kjo diçka negative kur është në të vërtet për të gjithë”, theksoi ai.

E ndonëse ishte paraparë që më 1 shtator të hapej ura e re mbi lumin Ibër, ajo u hap sot. Mbi këtë urë nisi qarkullimi me automjete e në këmbë. Qytetarët e kanë mirëpritur hapjen për qarkullim të urës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti teksa uroi banorët e pjesës veriore dhe jugore të Mitrovicës për hapjen për qarkullim të urës, shtoi se më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër.

Kurti potencoi se punimet për urën tjetër janë duke vazhduar.

“Ura për kalimin e automjeteve nga sot prej orës 9:00 është hapur për qarkullim. Urime banorëve e qytetarëve të Mitrovicës së jugut dhe Mitrovicës së veriut! Përgëzime kompanisë dhe punëtorëve për angazhimin shembullor. Punimet në urën tjetër po vazhdojnë”, ka shkruar Kurti.