Shtetet e QUINT-it reagojnë për moscertifikimin e Listës Serbe: Përjashtimi i komuniteteve, minon parimet demokratike
Shtetet e QUINT-it kanë reaguar pasi dje KQZ nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ambasada e Francës përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ata bashkë me ambasadën e Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve si dhe zyra e BE-së shprehen të shqetësuar në lidhje me përpjekjet e aktorëve…

Lajme
Shtetet e QUINT-it kanë reaguar pasi dje KQZ nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Ambasada e Francës përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ata bashkë me ambasadën e Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve si dhe zyra e BE-së shprehen të shqetësuar në lidhje me përpjekjet e aktorëve politikë për të kufizuar konkurrencën midis partive politike që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale më 12 tetor.
Sipas shteteve të QUINT-it, “çdo akt i tillë për të përjashtuar komunitete të caktuara minon parimet demokratike dhe gërryen besimin në institucionet e Kosovës.”.
“Ne presim që qeveria në largim dhe të gjitha partitë politike të përmbahen nga hapat e mëtejshëm që mund të pengojnë regjistrimin e partive. Të gjitha procedurat duhet të kryhen në përputhje të rreptë me rregullat dhe mandatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë, ne i inkurajojmë palët e prekura të shfrytëzojnë plotësisht Panelin e Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore për të kërkuar dëmshpërblim”, thuhet në këtë reagim.
KQZ-ja dje vendosi të mos e certifikojë Listën Serbe në mesin e debateve të ashpra.
Me 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime, KQZ-ja nuk e ka certifikuar Listën Serbe.
Zyra për rekomandimin e partive ka thënë se kandidatët e Listës Serbe nuk kanë dale në listat e KGJK-së apo Ministrisë së Jashtme.
“Lista Serbe për kryetar në 11 komuna, për Kuvende në 19 komuna. 238 kandidatë, edhe kjo parti politike, zyra ka kërkuar të bëhet verifikimi, dhe nuk ka ndonjë kandidat që është i përfshirë në ndonjërën prej listave nga instituconet përkatëse prej KGJK, Ministrisë së Jashtme, andaj rekomandojmë certifikimin e Listës Serbe”, tha zyrtarja e KQZ-së.
Anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, nuk ka folur për raportin e Ministrisë së Jashtme për Listën Serbe.
Ai ka thënë se Lista Serbe ka trashëgimi terroriste.
“Ne kemi një parti politike që ka një trashëgimi terroriste. Përveç kësaj, ka elemente të tjera persona që kanë kryer edhe sulme terroriste edhe të ndryshme. Në mesin e këtyre kemi persona, që në tëvërtetë në mënyrë subversive punojnë kundër Republikës së Kosovës. Ata mbajnë pozicione paralele të Serbisë edhe njëkohësisht mbajnë pozicione”, tha Kurteshi.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, ka thënë se të gjitha institucionet kanë rekomanduar certifikimin e Listës Serbe.
Ai tha se do të abstenojnë nga votimi.
“Është dashur që këto informata me i pranu në mënyrë institucionale. Ne si PDK abstenojmë nga certifikimi, nuk jemi për certifikim, abstenojmë nga votimi përderisa nuk kemi veprime nga institucionte e sigurisë, të cilat na tregojnë rrugën që duhet ndiqet për këtë parti. Nuk duam të bëhemi pjesë e luftës mediale, meqënëse konsiderojmë që rruga duhet të jetë krejtësisht institucionale, dhe veprimet institucionale. Nuk duhet të kontribuojmë duke e gjujt temat të cilat janë të paargumentuara në organin që e kanë vendin, MPB dhe organet e tjera të sigurisë”, tha ai.
Anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, ka thënë se nëse Lista Serbe është terroriste, duhet të vendosin institucionet.
‘‘Kemi ardh në një situatë ku po shoh dokumente të ndryshme, ku na i kemi në dorë e organet e sigurisë nuk i paskan. Kjo është shqetësuese , sot duhet me u mbledh Këshilli për Siguri Kombëtare, me i marrë këto dokumente edhe me na e zgjedh. Organet e sigurisë duhet me u marrë, me u mbledh e me thanë ky është një organizim terrorist, më i shpallë se nuk e shpallim na. Le ta kryejnë punën e vet, le të na e lehtojnë punën ne. Le ta kryejnë punën e vet ata, le të na tregojnë kjo është lista, dhe normalisht që ne njerëz jemi këtu nuk certifikojmë diçka që s’duhet’’, ka thënë ai mes tjerash. /Lajmi.net/