Moscertifikimi i Listës Serbe – Ambasada e ShBA-së dhe e Gjermanisë dalin me reagime: Komentet nga udhëheqësit politikë që e politizojnë më tej këtë proces janë të padobishme

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mocertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetor është komentuar nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë dhe ajo e Gjermanisë, në deklaratat e dhëna. Ambasada e Amerikës në përgjigjen, tha se e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Anu Prattipati, ia…

Lajme

22/08/2025 14:12

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mocertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetor është komentuar nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë dhe ajo e Gjermanisë, në deklaratat e dhëna.

Ambasada e Amerikës në përgjigjen, tha se e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Anu Prattipati, ia ka bërë të qartë qëndrimet e ShBA-së kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, lidhur me këtë çështje.

Tutje, në përgjigje thuhet se ambasada beson në institucionet e Kosovës dhe mekanizmat në vend për të siguruar që procesi i certifikimit të kandidatëve të përfundojë në një mënyrë të lirë nga politizimi.

“E Ngarkuara me Punë Prattipati e bëri të qartë qëndrimin e SHBA-së për certifikimin e zgjedhjeve pas takimit të saj me Kryeministrin në Përgjegjësi Kurti dje: të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces”.

“Ne vazhdojmë të besojmë në institucionet e Kosovës dhe mekanizmat në vend për të siguruar që procesi i certifikimit të kandidatëve të përfundojë në një mënyrë të lirë nga politizimi. Komentet nga udhëheqësit politikë që e politizojnë më tej këtë proces janë të padobishme dhe dëmtojnë integritetin e procesit zgjedhor të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për klankosova.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka folur poashtu për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale.

Në përgjigjen e tyre, ata shprehen të shqetësuar se partitë politike, sipas tyre, po përjashtohen nga zgjedhjet.

Ndër të tjetra, kjo ambasadë shton se të gjitha partitë që plotësojnë kërkesat e nevojshme dhe që përputhen me ligjin e Kosovës duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje demokratike.

Jemi të shqetësuar që partitë politike po përjashtohen nga zgjedhjet. Ashtu si në shkurt, ku KQZ-ja refuzoi gjithashtu certifikimin e Listës Serbe (SL), SL tani po apelon nëpërmjet Panelit të Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore (ECAP). Ne e mirëpresim këtë hap. Të gjitha partitë që plotësojnë kërkesat e nevojshme dhe që përputhen me ligjin e Kosovës duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje demokratike. Ne presim që të gjitha palët e interesuara të zbatojnë rendin procedural të bazuar në rregulla, për të siguruar një proces zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës”, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane.

Lista Serbe ka dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) anekesën lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e kësaj partie për zgjedhjet lokale të nëntorit.